Mbi 600 mijë të huaj vizituan Shqipërinë në maj, ja shteti nga erdhën më shumë

36

Mbi 600 mijë shtetas të huaj vizituan vendin tonë përgjatë muajit maj, duke shënuar një rritje me gati 84 %, krahasuar me muajin maj të vitit të shkuar, kur ende ishin në fuqi kufizimet për shkak të pandemisë në disa vende të botës.

INSTAT publikoi sot raportin mbi lëvizjet e shtetasve, sipas të cilit hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin maj të këtij viti janë 1.074.828.

Krahasuar me majin e 2021-shit, ky tregues rezulton me një rritje 77,5 %.

“Në maj të këtij viti, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 604.430. Krahasuar me majin e 2021-shit, ky numër është rritur me 83,9 %.

Si periudhë 5-mujore janar-maj, numërohen 1.677.691 shtetas të huaj që kanë vizituar Shqipërinë, ndër këta 1.559.409 kanë deklaruar se qëllimi i vizitës së tyre ishin pushimet apo vizitë te të afërm. Ndërsa për biznes udhëtuan drejt Shqipërisë 43.545 shtetas të huaj.

Referuar të dhënave të INSTAT-it, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Greqia ka pasur rritjen më të madhe me 5,6 herë, ndërsa Kosova ka pasur rritjen më të ulët me 9,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, rreth 775 mijë qytetarë shqiptarë dhe të huaj udhëtuan drejt Shqipërisë përmes ajrit, mbi 127 mijë përmes detit dhe mbi 2.5 milionë qytetarë përmes rrugëve tokësore.