Mbi 7.7 miliardë lekë shkëmbimet tregtare, çfarë marrin dhe japin Kroacia e Shqipëria nga njëri-tjetri

11

Shkëmbimet tregtare me Kroacinë llogariten mbi 7.7 miliardë lekë gjatë 9-mujorit të parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) gjatë periudhës janar-shtator 2021, eksportet rezultuan gati 2 miliardë lekë nga 1.1 miliardë lekë që ishin në 9 muajt e pare të 2020-ës, ndërsa importet shkuan në 5.7 miliardë lekë nga 4.7 miliardë lekë që ishin vitin e mëparshëm.

Shqipëria eksporton drejt Kroacisë alumin, këpucë, peshk të përpunuar, perime, ndërsa importon kryesisht naftë, produkte të peshkut, transformatorë elektrikë dhe çokollata.

Fushat më me interes për bashkëpunim janë energjia, turizmi, inxhinieria mekanike, elektrike dhe elektronike, farmaceutike, ushqimore, tekstile e këpucë, dhe veçanërisht ndërtimi.

Kroacia është një nga shtetet më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit, pasi është aksi që lidh Tiranën me Evropën nëpërmjet rrugës tokësore.

Shqipëria dhe Kroacia janë pjesë e disa projekteve strategjike për rajonin, si korridori Adriatiko-Jonian, i ashtuquajtur edhe Korridori Blu, gazsjellësi IAP (Joniano-Adriatik), si edhe kanë një bashkëpunim të shtuar në fushën e turizmit dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.