Mbillen dhjetëra fidanë me pishë të zezë në Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës

82

Në Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës, i cili ofron një mozaik natyror dhe kulturor për qindra pushues, u mbollën sot 110 fidanë me pishë të zezë.

Pemët u mbollën nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura të Durrësit së bashku me “Shkreli Resort Qafështamë” në kuadër të projektit të ndërmarrë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit “Krijo oksigjenin tënd”.

Po ashtu punonjësit e ADZM Durrës dhe të fabrikës së ujit zhvilluan një aksion pastrimi me stafin e fabrikës së ujit.

Zona e Mbrojtur e Parkut të Qafë-Shtamës që ka një frekuentim gjithëvjetor, ka një sipërfaqe prej rreth 20 km2, e shpallur si e tillë prej vitit 1966. Ajo gjendet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës.

Ky park, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, si vend kurativ dhe turistik.

Ajo çka e dallon Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës është masivi i Pishës së Zezë dhe Ahut, duke ofruar një peizazh të gjelbërimit të përhershëm të pishës dhe bukurisë natyrore të ndërthurur me ahun.