Mbrojtja e biodiversitetit: Shqipëria bën progres

326

cbd-13

Shqipëria ka bërë progres të dukshëm për arritjen e objektivit global për mbrojtjen e biodiversitetit.

Vlerësimi është bërë në takimin e 13 ndërkombëtar për Konventën‎ e Biodiversitetit, COP13, që po zhvillohet në Kankun, Meksikë. ‎Sipas planit strategjik, deri në vitin 2020, 168 vendet që kanë firmosur Konventën duhet të kenë shpallur si zona të mbrojtura 17% të sipërfaqes së vendit dhe të kenë një menaxhim efektiv të tyre.

Në prezantimin e progresit të Shqipërisë u vu në dukje se vendi është shumë pranë arritjes së objektivit global dhe se deri tani zonat e mbrojtura janë 16.61% e sipërfaqes së vendit. Rezervatet natyrore, parqet kombëtare, monumentet e natyrës që janë pjesë e planit strategjik kombëtar për zonat e mbrojtura, zënë një sipërfaqe prej 471 mijë hektarë, 22 mijë prej të cilave janë sipërfaqe detare.

Në këtë nismë globale sfiduese, e njohur si dekada e Kombeve të Bashkuara mbi Biodiversitetin 2011-2020, Ministria e Mjedisit po ndihmohet me disa projekte nga Komisioni Europian dhe Programet e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin për zbatimin e planeve të menaxhimit të Zonave të Mbrojtura.

Për të arritur objektivin global që zonat e mbrojtura të jenë sa 17 % e territorit të vendit dhe 6% e pjesës detare, Ministria e Mjedisit do të propozojë 2 zona të reja të mbrojtura: Parkun Natyror Detar të Porto Palermos dhe Parkun Kombëtar të Alpeve.

Burimi: Top Channel