Mbulimi me 4G, Shqipëria lë mbrapa Britaninë

269

Shqipëria ka mbulim më të mirë me celularë sesa Britania e Madhe. Ky është përfundimi i arritur nga raporti i hartuar nga Komisioni i Infrastrukturës Kombëtare (National Infrastructure Commission, NIC) dhe i transmetuar nga Skynews.

Sipas raportit, Britania renditet e 54-ta sa i përket mbulimit me shërbimin 4G, duke qenë se britanikët mund ta aksesojnë atë vetëm 53% të kohës. “Rrjetet në Britaninë e Madhe nuk janë të kompletuara. Ka ende shumë ‘shkretëtira’ dixhitale në vend dhe shërbimi ynë 4G është më i keq se në shumë vende të tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, Panamanë dhe Perunë”, thuhet në këtë raport, që citohet dhe nga gazeta Telegraf.

Në të citohet se qeveria britanike duhet të angazhohet më shumë për të rritur rolin e saj për të siguruar se shërbimet bazë të internetit janë të aksesueshme në rrugë, hekurudha, qendra qyteti etj.

Sipas raportit dhe renditjes së hartuar, Shqipëria (me mbi 60% mbulim), sipas këtij shërbimi, lë pas vende si Greqia, Gjermania, Zelanda e Re, Franca etj.

Në vend të parë, me mbi 80% mbulim me shërbim 4G, renditet Koreja e Jugut, e ndjekur nga Japonia, Lituania, Hong Kongu dhe Holanda.

Në vendin e fundit sa i përket mbulimit me këtë shërbim gjendet Sri Lanka, me rreth 40% mbulim të popullsisë.

Sipas të dhënave zyrtare të AKEP për vitin 2015, numri i përdoruesve sipas kartave SIM u llogarit në rreth 4.7 milionë përdorues, ose rreth 3% më pak në krahasim me vitin 2014. Norma e penetrimit (përdorues për 100 banorë) në fund të 2015-s ishte 120%, sipas përdoruesve aktivë dhe 167% sipas kartave SIM.

Burimi: Revista Monitor