Me 11 maj Shqipëria ekspozon në Bienalen e Venecias

125

“Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”. Ky është titulli i veprës së artistit Driant Zeneli, i cili prezanton Shqipërinë këtë vit në Bienalen e Venecias.

Më 11 maj deri më 24 nëntor 2019 vepra e Zenelit do të ekspozohet në “Arsenale Artiglierie”, nën kurimin e Alicia Knock. Në përshkrimin që i bëhet veprës së artistit shqiptar në faqen zyrtare të Bienales, thuhet se, “vepra është një instalim skulpturor i cili zgjerohet si një projekt multidisiplinar duke lënë idenë se “nën një sipërfaqe ka një sipërfaqe tjetër”.

Zeneli nisi të punonte me këtë ide më 2015-tën në ish Metalurgjikun, në qytetin e Elbasanit.

Idea për këtë vepër ka lindur nga leximi i romanit të parë fantastiko-shkencor në Shqipëri, “Drejt Epsilonit të Eridanit”, i botuar në vitin 1983 (ribotuar i plotë në vitin 2018) nga Arion Hysenbegas.