Me 113 medalje! Njihuni me Arjola Trimin, ‘diamantin shqiptar të notit’ (FOTOT)

82

Në majën e piramidës të grupit të notarëve që përfaqëson Italinë në edicionin e 16-të të Lojërave Paralimpike të Tokios, qëndron krenare një shqiptare. Ajo është Arjola Trimi, e lindur në Tiranë në 1987, një veterane që numëron pas vetes 113 medalje. Si shumë shqiptarë, ajo së bashku me familjen u zhvendos në Itali teksa ishte vetëm 2-vjeç, ku shkroi historinë dhe vijon të lërë gjurmë. Pikëtakimi i saj me sportin e notit erdhi si një “detyrim”, pasi basketbolli ishte “dashuria e saj e parë”. Rreth moshës 12-vjeçare, ajo zbuloi se vuante nga një sëmundje e trashëguar dhe që nga ai moment, iu desh që të nxirrte forcën dhe vendosmërinë, që e kishte të fshehur brenda vetes, për të filluar një jetë të re. Basketbollin e la mënjanë dhe zbuloi se sa shumë e donte notin rastësisht, gjatë kohës që bënte seancat e saj të fizioterapisë.

Debutimi i Arjola Trimit  daton në vitin 2012, kur arriti rezultate të shkëlqyera që në garat e para. Vetëm një vit më pas erdhi dhe ngritja në nivel ndërkombëtar, në kupën e Botës në Montreal, që e bëri atë fituese të 2 medaljeve argjendi dhe 2 bronzi. Që nga ai momenti, medaljet për të nuk munguan në asnjë garë! Në 2014, gjatë kampionatit Europian fitoi një tjetër medalje të argjend dhe 3 ari, e ndërsa në 2015, Glasgow, fitoi një medalje argjendi dhe një bronzi.

Në maj, gjatë Kampionatit Evropian, Arjola theu rekordin botëror të 50 metrave stil i lirë me një kohë 41.15, duke ulur me më shumë se një sekondë rekordin e mëparshëm që datonte nga viti 2016. Sukseset e saj nuk kanë të sosur, e kurorëzuar 13 herë kampione Europe, sot kërkon sërish që në raftin e arritjeve të saj të vendosë edhe një tjetër medalje, edhe pse fatkeqësisht nuk mund të ngre lart flamurin shqiptar.