Media britanike “Express”: Shqipëria, destinacioni i ri mesdhetar që turistët nuk duhet të humbasin në 2025

2

Eksperti i udhëtimeve, Simon Calder ka rekomanduar dy destinacione kryesore evropiane – më pak të njohura – për vitin 2025, në një përpjekje për të nxitur turistët e huaj të zgjedhin vende që nuk janë prekur ende nga turizmi masiv, dhe të cilat i vlerëson si ideale për pushime verore, shkruan Emily Wright në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

Shumë turistë kanë nisur të planifikojnë aventurat e tyre të vitit 2025.

Turizmi ndërkombëtar në Evropë u rrit me 11% gjatë shtatë muajve të parë të 2024-ës, duke u afruar niveleve të para pandemisë. Destinacionet tradicionale si Spanja, Franca, Italia dhe Greqia vazhdojnë të dominojnë, me Spanjën që pritet të thyejë rekorde me mbi 90 milionë vizitorë.

Eksperti i udhëtimeve Simon Calder sugjeron Ballkanin si destinacion të përballueshëm, veçanërisht Shqipërinë dhe Bullgarinë. Shqipëria, me plazhe të mrekullueshme, kala antike dhe çmime të ulëta, është kthyer në një të preferuar për turistët.

Në Shqipëri, dhomat luksoze të hoteleve kushtojnë rreth 50 euro nata, ndërsa vaktet plotësisht të bollshme janë vetëm 10 euro, shumë më lirë se destinacionet fqinje si Korfuzi. Në 2023, Shqipëria tërhoqi 10 milionë turistë, duke u shndërruar në një surprizë turistike të rajonit.

Referenca: ata.gov.al