Media spanjolle “Huffington Post”: Shqipëria, zgjedhja perfekte për pushime

2

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë turistë nga e gjithë bota si një nga destinacionet më të lira në Evropë. Ajo ofron plazhe me ujëra të kristalta, male, qytete historike dhe një kulturë mikpritëse. Revista të huaja si “Huffington Post” dhe “Postal” e cilësojnë Shqipërinë si vendin ideal për pushime ekonomike, ku është e mundur të gjesh akomodim për vetëm 10 euro nata dhe të hash një vakt të plotë për rreth 5 euro.

Kuzhina shqiptare është e pasur me ndikime mesdhetare dhe ballkanike, dhe ofron ushqime të shijshme e të freskëta me çmime të ulëta. Tregjet lokale ofrojnë produkte si djathëra, vaj ulliri dhe mishra, ndërsa ëmbëlsirat tradicionale si bakllavaja janë shumë të lira.

Mikpritja e shqiptarëve, niveli i ulët i kriminalitetit dhe mundësia për të eksploruar natyrën dhe trashëgiminë kulturore (si Gjirokastra dhe Butrinti) e bëjnë Shqipërinë një destinacion të sigurt dhe autentik. Edhe transporti është i përballueshëm, dhe marrja me qira e makinave është një alternativë e mirë për të lëvizur me liri.

Në krahasim me vendet e tjera evropiane, të dhënat e “Eurostat” tregojnë se të hash jashtë në Shqipëri është rreth 40% më lirë, gjë që u jep mundësi turistëve të zgjasin qëndrimin dhe të përjetojnë më shumë pa shpenzuar shumë. Shqipëria po pozicionohet si zgjedhja ideale për ata që duan të udhëtojnë ekonomikisht pa bërë kompromis me bukurinë dhe përvojat.

Referenca: ata.gov.al