Merret zyrtarisht vendimi/ Nga 1 janari, paga minimale do të jetë 30 000 lekë

80

Nga 1 janari paga minimale do të jetë 30 000 lekë, nga 26000 lekë që është tani.

Vendimi për rritjen e pagës minimale u mor në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave.

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E PAGËS MINIMALE NË SHKALLË VENDI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat në caktimin e pagave dhe shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Paga bazë minimale mujore, për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 30 000 (tridhjetë mijë) lekë.

2. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës.

3. Paga bazë minimale orare të jetë 172.4 (njëqind e shtatëdhjetë e dy pikë katër) lekë.

4. Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.

5. Vendimi nr.809, datë 26.12.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2021.