Mësim në shqip për emigrantët shqiptarë, ja projekti

15

Qeveria shqiptare do të përkrahë organizimin e procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në vendet pritëse të Diasporës shqiptare.

Procesi mësimor dhe përzgjedhja e arsimtarëve në Diasporë do të mbështetet nga ministria përgjegjëse për arsimin në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe shtetërore dhe në përputhje me legjislacionin e vendit pritës të diasporës shqiptare, shkruhet në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare.

Në vendet pritëse të diasporës shqiptare procesi mësimor është mësimi i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare.

Gjithashtu në vendim thuhet se kanë të drejtë të ndjekin mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë të gjithë fëmijët e moshës deri në 18 vjeç me kombësi shqiptare dhe çdo person me origjinë shqiptare që jeton në vendin pritës pavarësisht nëse ai është me qëndrim të përkohshëm të përhershëm apo azilkërkues.

Mësimi në këto shkolla do të zhvillohet me kurrikulën e përbashkët të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në Diasporë.

Ndërsa tekstet shkollore, materialet plotësuese dhe zhvillimi profesional i mësuesve do të mbështetet dhe inkurajohet nga Ministria përgjegjëse për Diasporën nëpërmjet Qendrës së Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme.

Sasia e teksteve shkollore dhe materialet plotësuese do të dërgohen nga Qendra e Botimeve për Diasporën brenda muajit gusht të çdo viti për t’i shpërndarë më pas sipas kërkesave që kanë këto vende.