Kombinimi i dy strategjive – praktika e ndarjes së mësimeve në kohë dhe përsëritja e tyre – është çelësi i suksesit për të mësuar, thotë Shana Carpenter.
Carpenter, profesore e psikologjisë në Universitetin Shtetëror të Iowa-s, është autorja kryesore e një studimi të publikuar në Nature Reviews Psychology, në të cilin janë shqyrtuar më shumë se 100 vite të studimeve rreth të mësuarit.
“Përfitimet nga praktika e shpërndarjes në kohë dhe e përsëritjes janë konfirmuar vazhdimisht në studime të ndryshme në laboratorë, klasa dhe vende pune, por arsyeja pse ne po e shfaqim këtë studim është sepse këto dy teknika nuk janë kuptuar plotësisht.
Nëse do të përdoreshin gjatë gjithë kohës, do të shihnim një rritje drastike të të mësuarit”, thotë Carpenter.
Në studimin e tyre, Carpenter dhe bashkautorët e përshkruajnë “shpërndarjen në kohë” si një strategji për të mësuar në doza të vogla përgjatë kohës.
Është e kundërta e grumbullimit të të gjitha mësimeve një natë përpara provimit. Në një studim, studentët e mjekësisë që morën trajnime për kirurgji gjatë një periudhe trejavore patën rezultate më të mira në provimet e zhvilluara pas dy javësh dhe pas një viti, krahasuar me studentët e mjekësisë që e morën të njëjtin trajnim në një ditë të vetme.
Carpenter thotë se nuk ka një rregull universal për sasinë e kohës që duhet të planifikohet midis seancave të praktikës. Por, kërkimet tregojnë se rikthimi te materiali pas harrimit të një pjese të përmbajtjes – por jo të së gjithës – ka rezultuar të jetë efektiv.
Praktika e përsëritjes është një strategji që përfshin rikujtimin e asaj që është mësuar më parë. Kjo mund të praktikohet në shumë forma, duke përfshirë pyetësorët, testet praktike dhe pyetjet me fund të hapur.
Këto metoda i ndihmojnë studentët të dallojnë atë që dinë dhe atë që nuk e dinë. Autorët e kërkimit theksojnë se njerëzit që kontrollojnë përgjigjet e tyre nëse përmbajnë gabime ose që marrin një vlerësim nga të tjerët lidhur me këtë, mësojnë akoma më mirë.
Më shumë se 200 studime tregojnë që njerëzit në përgjithësi mbajnë mend më shumë informacion për periudha më të gjata kohore nëpërmjet praktikës së përsëritjes, krahasuar me strategji që nuk përfshijnë përsëritjen (p.sh., thjesht rileximin e një libri shkollor).
Autorët argumentojnë se njerëzit që kombinojnë praktikën e shpërndarjes të të mësuarit në kohë dhe përsëritjen, kanë mundësitë më të larta për ta mbajtur mend informacionin.
“Të harruarit është diçka shumë e natyrshme; nuk mund të ndalosh së harruari edhe nëse përpiqesh, por, mund ta ngadalësosh këtë proces duke përdorur praktikën e shpërndarjes në kohë dhe të përsëritjes,” thotë Carpenter.
Ajo gjithashtu shton se ka disa koncepte të gabuara lidhur me të mësuarin, të cilat janë pjesë e arsyes pse këto dy praktika nuk përdoren gjerësisht.
“Ndoshta keqkuptimi më i madh është se të mësuarit e diçkaje duhet të duket si një proces i lehtë në mënyrë që të funksionojë, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Ju do të mësoni në mënyrë më të qëndrueshme dhe më efektive nëse këmbëngulni dhe nëse i kaloni ato sfida të vështira përgjatë kohës,” thotë Carpenter.
Për shembull, nënvizimi ose rileximi i një libri shkollor duket më i lehtë sesa shkrimi i përgjigjeve ndaj pyetjeve të ndryshme lidhur me përmbajtjen e materialit mësimor. Por, pa kontrollin e njohurive që vjen me përpjekjen për të riprodhuar informacionin e mësuar, ekziston një rrezik më i madh për t’u zhytur në atë që autorët e quajnë “iluzioni i të mësuarit”.
Carpenter pranon se shumë njerëzve nuk u pëlqen që të bëjnë gabime ose që të zbulojnë se nuk e kuptojnë materialin aq mirë sa mendonin. Kjo mund të sjellë pasiguri, frikën e dështimit ose emocione të tjera që ata duan t’i shmangin.
Por, ka shumë mundësi që ata do të duhet të përballen me atë që nuk dinë gjatë një momenti edhe më të rëndësishëm, si për shembull gjatë një provimi ose gjatë një prezantimi pune.