Mësonjëtorja e Parë Shqipe, dëshirë e zjarrtë për të përhapur dijen

10

Muzeu Historik Kombëtar publikoi sot online, fakte historike mbi shkollën e parë shqipe, zanafilla e Ditës së Mësuesit. Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e Parë kombëtare Shqipe.

Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri, patriot e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.

Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin lidhet me dëshirën e zjarrtë të tyre për të përhapur dijen në mesin e popullit. Rilindasit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë. Ata punuan me përkushtim edhe për pajisjen e shkollës me mjetet e duhura didaktike. Nxënësit që mësuan në këtë shkollë kombëtare u edukuan me frymën e patriotizmit. Ata u bënë pasuesit e denjë të ideologjisë kombëtare dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për liri dhe pavarësi.

Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar. Për shkak të sundimit osman, deri në këtë periudhë, mësimdhënia ne gjuhen shqipe, kryhej në mënyrë të fshehtë. Që nga ajo ditë, 7 Marsi njihet si Dita e Mësuesit dhe kremtohet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

/ata.gov.al