Migjeni, gjeniu i letërsisë shqipe, përkujtohet sot në 112-vjetorin e lindjes. Ai konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.
Migjeni lindi në Shkodër, më 13 tetor 1911, në një familje të varfër qytetare. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes, në vitet 1928-1932 ndoqi mësimet e mesme teologjike në Manastir. Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë e tij letrare.
Migjeni kaloi nga një romantizëm revolucionar në realizëm kritik gjatë jetës së tij. Atë e indinjonte së tepërmi hendeku i thellë i pabarazisë midis klasave. Kjo e shtyu të pasqyronte varfërinë e thellë të viteve kur jetoi, dhe duke u dalë zot heronjve të krijimeve të tij si “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj. Ai i përkrahte të rinjtë me idenë revolucionare për të ndryshuar vendin. I shtynte të merrnin guximin për të vepruar.
Heronjtë e veprave të tij më të mira ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë.
Poezia e Migjenit solli në letërsinë shqipe një problematikë të re, jetën e shtresave të varfra të shoqërisë shqiptare, temën e mjerimit e të pasojave të tij morale, përjetimin artistik të domosdoshmërisë së ndryshimit dhe vegimin e një bote tjetër, më të mirë e më të drejtë.
Ndërsa proza rrëfimtare e Migjenit (“Studenti në shtëpi”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”; “Historia e njenës nga ato…”, “Të çelen arkapijat”), megjithëse nuk u botua sa ishte në jetë, ishte shprehje e drejtpërdrejtë e nevojës që ndjente procesi letrar i kohës për të braktisur vizionet romantiko-sentimentaliste dhe idhujt e vjetruar.
Vepra e tij sfidonte në çdo pikëpamje; ajo ishte shprehje e shqetësimeve të mundimshme të jetës shpirtërore shqiptare që ftonin për të përfytyruar një shoqëri njerëzore në të cilën individi, i njohur dhe i kuptuar së fundmi, do të realizohej plotësisht në të gjitha ndërlikimet e tij ekzistenciale.
Migjeni u nda nga jeta në moshë të re, më 26 gusht të motit 1938, i sëmurë prej tuberkulozit.
/ata.gov.al