Milan Shuflaj, themeluesi i Albanologjisë

1

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujton sot, me rastin e 92-vjetorit të vdekjes, historianin dhe politikanin e madh kroat, njërin prej themeluesve të Albanologjisë, Milan Šufflay (Shuflaj).

Lindi më 9 nëntor 1879, në Lepogllav të Kroacisë. Qe ndër themeluesit e Albanologjisë si dhe autor i të parit roman fantashkencor në letërsinë kroate. Ka botuar disa libra mbi botën arbërore, ku ka trajtuar mbi baza objektive dhe referenca dokumentesh figurën e Skënderbeut. Disa nga librat e tij kryesorë janë: “Kufijtë e Shqipërisë në Mesjetë”, “Shqipëria Mesjetare”, Biologjia e Fiseve të Popullit Shqiptar” etj.

Ashtu edhe vepra tjetër letrare që shkroi, “Kostandin Balsha” është ndër romanet e para historike me tematikë shqiptare.

Interesimi i Shuflajt për shqiptarët dhe Shqipërinë ndeshet që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumenta nëpër arkivat e Dalmacisë, zbulon materiale burimore shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare. Kjo periudhë, në atë kohë ishte e pahulumtuar fare dhe zgjoi interes të jashtëzakonshëm tek studiuesi i ri, duke u bërë qëllimi kryesor i veprimtarisë shkencore për gjithë jetën e tij e gjithashtu u bë edhe shkak per vdekjen.

Ai u përndoq nga Mbretëria Jugosllave, më 19 shkurt 1931 e vrasin në pragun e tij në Zagreb. Jehona e vrasjes ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” (Romë), “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia”, “Vullneti i Popullit” (Tiranë), etj.

Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skëndo, Faik Konica, si dhe organizatat “Ligue Internationale des Droits des L’Homme”, “Federation Universitaire Internationale”, etj.

/ata.gov.al