Miratohet ligji: Ja si do bëhet rivlerësimi i pasurive të paluajtshme

378

parlamenti

Kuvendi miratoi ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, i cili do u lejojë individëve dhe përsonave fizike të kryejnë rivlerësimin e pasurive të tyre. Ata do të paguajnë 2% taksë mbi çmimin e vlerësimit dhe do të kursejnë taksat në rast se shesin pronat në të ardhmen. Për pronat nën pronësinë e biznesmenëve, taksa që do duhet të paguhet për rivlerësimin është përcaktuar 3%.

Ligji jep afat për rivlerësimin e pasurive deri me 28 shkurt 2017.

Më poshtë do të gjeni parashikimet në ligj lidhur me rivlerësimin e pasurive të paluajtshme.

Rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme për individët

Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të drejtë që, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në datën 28 shkurt 2017, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.

Ky rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar, atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh edhe aktin e vlerësimit të ekspertit.

Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme llogaritin bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt ekspertim, por jo më e vogël se çmimet minimale fiskale, dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi, si dhe tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim.

Në rast se individi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, me çmimet minimale fiskale në fuqi, atëherë ky fakt shprehet në formularin që i bashkëlidhet aplikimit të tij për rivlerësim.

Në rastin e parashikuar në pikën 5, të këtij neni, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme llogaritin bazën e tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi, si dhe tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar këtë rivlerësim.

Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë, si vlerë regjistrimi, në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë.

Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 2% e bazës së tatueshme, që përcaktohet sipas pikave 4 dhe 6, të këtij neni.

Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, në zbatim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës, në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, me vlerën e rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi.

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme për personat juridikë

Personat juridikë, të cilët kanë të regjistruar në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme me vlerë më të vogël se ajo e tregut, kanë të drejtë të bëjnë, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre pasurive.

Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet nga ekspertë të pavarur, të licencuar për vlerësimin e pasurisë nga institucionet përkatëse.

Diferenca nga vlera kontabël, e regjistruar në pasqyrat financiare, me vlerën që rezulton nga rivlerësimi, pasqyrohet në pasqyrat financiare të vitit 2016.