Mjekë nga Italia në shërbim të banorëve në Lezhë: Trajtim dhe ilaçe falas

21

Një staf mjekësh nga Italia kanë mbërritur në Lezhë në shërbim të banorëve të prekur nga tërmeti. Ambulanca dhe stafi i saj nga Firence e Italisë do të qëndrojnë në zonat rurale të Lezhës.

“Kemi ardhur këtu për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur nga tërmeti. Do të operojmë kryesisht në zonat rurale të Lezhës aty ku dhe nevoja për shërbim shëndetësor është e madhe. Do të qëndrojmë këtu deri në kalimin e kësaj situate emergjente”, tha Ermini Marco, menaxher i transportit shëndetësor publik dhe asistencës humanitare në zonën e Skandici në Itali.

Pjesë e këtij grupi është edhe Vat Marashi, mjeku shqiptar që jeton në Firence i cili thotë se ata persona që kanë probleme të rënda do dërgohen jashtë vendit.

“Do ndihmojmë me medikamente dhe vizita mjekësore personat e prekur nga tërmeti dhe nëse ka persona që kanë nevojë për shërbim më të specializuar do mundësojmë dërgimin e tyre në Toskana të Italisë”, u shpreh mjeku Vat Marashi.

Qendra shëndetësore e lëvizshme ka në përbërje 2 mjete dhe dy infermierë ndërsa është e pajisur me të gjitha aparaturat për dhënien e ndihmës mjekësore si dhe medikamentet bazë.