Nëse ekziston një frut që të bën shumë mirë ajo është molla. Nëse është mollë shqiptare, akoma më mirë. Molla njihet për vlera dhe përbërës të jashtëzakonshëm ushqimorë që të mbrojnë nga një sërë simptomash dhe sëmundjesh.
Dy zonat që mbahen për prodhimin më të lartë të mollëve në vendin tonë janë Korça dhe Dibra. Sipas AgroWeb, varietetet që prodhohen më së shumti në Shqipëri janë dy derivatet e Red Delicious, Red Chief dhe Starking.
Të dyja janë të referuara lokalisht si “Starking” madje përbëjnë 52% të pemëve drurëve frutorë, plus mollët e varietetit Golden Delicious që përbëjnë 42%. Shumica e përbërësve antioksidantë gjenden tek lëkura e mollës. Ndaj këshillohet konsumimi i mollëve, të cilat kanë më pak pesticide dhe kimikate.
Por me rëndësi është fakti që falë klimës së zonave ku rriten mollët shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, spërkatja me pesticide është 10 herë më e ulët se vendet e tjera prodhuese të mollëve në Ballkan dhe 15 herë më e ulët se në vendet e Evropës Qendrore.
Karakteristikat e kultivarëve të mollëve të tokave shqiptare drejtohen nga cilësia dhe qëndrueshmëria ndaj insekteve dhe sëmundjeve, por ndihmesë jep edhe përbërja e tokave.
Nëse kërkon mbrojtje totale, bli mollët tradicionale shqiptare në treg, por lëri për pak minuta në një enë me uthull ose sodë buke dhe ujë si zgjidhje që ndihmojnë në largimin përfundimtar të pesticideve dhe baktereve.
Cilat janë vlerat shëndetësore të mollës?
Mbron trurin
Mollët mbrojnë qelizat bazë të sistemit nervor nga neurotoksinat dhe ulin ndjeshëm rrezikun e çrregullimeve mendore, siç është edhe sëmundja e Alzheimerit .
Ul rrezikun ndaj Ishemisë
Studimet kanë treguar që konsumimi i mollës ul ndjeshëm rrezikun e goditjeve në tru.
Kundër Diabetit
Duke konsumuar tre mollë në ditë, krah rrushit dhe boronicës ul me 7 përqind rrezikun e shfaqjes së diabetit të tipit 2.
Roli që ka molla në këtë rast është rregullimi i nivelit të sheqerit në gjak. Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, molla ndihmon sistemin tretës të përthithë më pak glukozë.
Ajo gjithashtu stimulon qelizat beta të pankreasit të prodhojnë insulinë natyrale.
Lufton tumoret
Molla ka përbërës të mrekullueshëm që mund të reduktojnë rreziqet nga kanceri.
Në disa studime të publikuara nga Planta Medica shkruhej se mollët, sidomos ato jeshile, janë efektive në luftën kundër kancerin e zorrës së trashë, kancerit të lëkurës dhe kancerit të mushkërive.
Mbron zemrën
Mollët ulin rrezikun e vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës, për shkak të përbërësve të lartë antioksidantë.
Lëngu i mollës mund të jetë i shijshëm, me vitamina dhe antioksidantë, por magjia qëndron tek fruti i plotë. Vetëm ai të ofron një tufë me fibra dhe vlera ushqimore ashtu siç ka dashur nëna natyrë.
Ata që kanë kujdes për peshën duhet të konsumojnë një mollë të plotë para çdo vakti. Kështu marrin 15% më pak kalori.
AgroWeb.org të tregon që mushkëritë funksionojnë më mirë nëse konsumon mollë. Kjo për shkak të flavonoidëve që gjenden në frut të cilat ulin rrezukun ndaj atakut në zemër.