Mundësi për praktikë tremujore në Kuvend

72

Të diplomuarit dhe studentët tashmë mund të aplikojnë për një praktikë tremujore në Kuvendin e Shqipërisë.

Instituti Demokratik Amerikan (NDI Albania), në kuadër të Programit Parlamentar dhe Edukimit Qytetar (PACEP)- një program i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë fton të diplomuarit dhe studentët të aplikojnë për një praktikë tremujore në Kuvendin e Shqipërisë.

Studentët do të angazhohen në shërbime të ndryshme të administratës së Kuvendit, që ofrojnë mbështetje për deputetët ose do të asistojnë drejtpërdrejtë deputetët/et në ushtrimin e funksioneve përfaqësuese, legjislative dhe mbikëqyrëse.

Ky program është i hapur për studentët e vitit të tretë bachelor, të diplomuarit dhe studentët e nivelit master në fushat e shkencave politike, shkencave sociale, ekonomisë dhe financave, drejtësisë, shkencave të komunikimit ose në fusha të tjera të ngjashme.

Pozicioni parashikon angazhimin me kohë të pjesshme, orari i angazhimit do të dakordësohet me kandidatin e përzgjedhur. Programi i praktikës do të zgjasë për një periudhë tre mujore dhe të gjithë të përzgjedhurit do të respektojnë rregullat e Shërbimeve dhe Kodin e Punës së Kuvendit. Praktikantët do të ndihmojnë Shërbimet e Kuvendit në projektet dhe aktivitetet në vazhdim.

Ky program është një mundësi e mirë për studentët, që të mësojnë funksionimin e parlamentit, punën e shërbimeve specifike në parlament, punën e komisioneve, rolin e deputetëve dhe mbështetjen, që ata marrin nga shërbimet në Kuvend

Afati i fundit i aplikimit është data 20 prill 2019.