Muzeu Historik Kombëtar tërheq mijëra vizitorë

90

Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë vijon të mbetet atraksioni kulturor dhe historik për vizitorët vendas dhe të huaj edhe për muajin maj.

Në ditët e para të fillimit të sezonit turistik në Shqipëri vijon të ketë vizitorë të shumtë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Kjo tregohet nga numri i lartë i vizitorëve për muajin maj, ku numërohen 5245 vizitorë në total.

Studentë, vizitorë të huaj dhe vendas janë të interesuar për të mësuar më shumë rreth historisë së Shqipërisë që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, shpjeguar kjo nëpërmjet artefakteve dhe objekteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeal më i madh në Shqipëri. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.

Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Bronzit (2100-1200 para Krishtit), si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve.