“Muzeu i Prekshëm”, arti dhe kultura përçohen tek personat me aftësi ndryshe

152

Muzeu Historik Kombëtar është i përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara pasi beson se qasja dhe përfshirja e tyre në shërbime, në jetën publike, kulturore e politike është një e drejtë themelore.

Ky muze në bashkëpunim me Institutin e Nxënësve që nuk Shikojnë “Ramazan Kabashi”, organizuan veprimtarinë me titull “Muzeu i Prekshëm”. Ky muze ishte pranë nxënësve që nuk shikojnë, pranë institutit ku ata jetojnë.

“Muzeu i Prekshëm” ishte i përbërë nga riprodhime objektesh prej balte, veshje etnografike, vegla muzikore, si dhe nga Figurat e Prekshme (me reliev) për personat me aftësi të kufizuar në shikim. Në fund të aktivitetit, të pranishmit ndoqën një dokumentar mbi prodhimin e poçerisë dhe qeleshes, dy nga tradita të trashëguara ndër breza midis shqiptarëve.

Objekti i veprimtarisë me titull “Muzeu i Prekshëm” është dërgimi i muzeut pranë vendit, ku fëmijët e verbër dhe me shikim të pjesshëm jetojnë, duke bërë të mundur që edhe këta fëmijë të bëhen pjesë e historisë së tyre, të bëhen pjesë e trashëgimisë së tyre si çdo njeri tjetër.Asambleja e Kombeve të Bashkuara ka shpallur 3 dhjetorin si ditë të personave me aftësi te kufizuar, me qëllim të promovimit të të kuptuarit të çështjeve mbi aftësinë e kufizuar dhe të mobilizimit në përkrahjen për dinjitet, të drejta dhe mirëqenie të personave me aftësi të kufizuar.