Ndërtesa 1-shekullore, muze unik i Kosovës

3

Kosovës po i shtohet një muze unik. Bëhet fjalë për Hidroelektranën, ndërtesë në qytetin e Prizrenit, e cila ka pothuaj 100 vjet jetë.

Ajo që dikur shënonte frymë modernizimi në arkitekturë dhe moment elektrifikimi e zhvillimi industrial për qytetin, sot është në fazën e fundit të restaurimit.

Menjëherë pas ndërhyrjeve konservuese fillojnë veprimet për funksionalizimin e muzeut të Hidroelektranës.

Historia e Hidroelektranës është e lidhur ngushtë me historinë e elektrifikimit në Kosovë. Ndërtesa ndodhet në pjesën lindore të Prizrenit dhe paraqet një nga hidrocentralet e para të ndërtuara në vend.

E ndërtuar në vitin 1929, ndërtesa ka furnizuar qytetin me energji elektrike për dyzet e katër vjet. Furnizimi me energji elektrike ka ndikuar në hapjen e kinemasë së parë në qytet dhe zhvillimin e zanateve të reja. Fillimisht hidrocentrali furnizonte institucionet publike, banesat e njerëzve të pasur, mullinjtë dhe njësitë tregtare.

Për shkak të mungesës së kapacitetit dhe pajisjeve të vjetëruara, hidrocentrali ndaloi së funksionuari në vitin 1973. Në vitin 1975, ndërtesa u adaptua në Muzeun e Historisë Elektrike të Kosovës.

/ata.gov.al