Ndeshja e sotme Shqipëri-Poloni në ‘Air Albania’, rrugët që do bllokohen

14

Policia e Shtetit ka përgatitur një plan të plotë masash për të siguruar rregull dhe siguri publike përgjatë ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë që luhet sonte në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.

Plani i masave parashikon detyrat që do të kryejnë të gjitha strukturat, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Polonisë.

Sipas policisë, masat e marra përfshijnë eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të futbollit të Polonisë, nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas; eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium; kryerja e kontrollit të hollësishëm në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për persona të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët; organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës; sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës dhe menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 10 shtator 2023, nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;

-rruga “Papa Gjon Pali II”;

-rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;

-rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”;

-rruga “Themistokli Gërmenji”;

-rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut;

-rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

-rruga “Jul Variboba”, pranë postës;

-rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;

-rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.

Në zbatim të planit të masave, punonjësit e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium, të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike monedha metalike, çadra, çakmak, karikues telefoni dhe sendeve të tjera të forta të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

/ata.gov.al