Në dimër dhe verë, ja dy qytetet më të preferuara për turistët në Shqipëri

138

Gjatë vitit 2020, destinacionet më të preferuara në Shqipëri për udhëtime pushimi apo biznesi ishin Durrësi gjatë sezonit të verës dhe Korça në sezon e dimrit.

INSTAT publikoi të dhënat e anketës “Pushime dhe Udhëtime”, për vitin 2020,  sipas së cilës qarqet më të preferuar për udhëtime ishin: Tiranë (26,3 %), Vlorë (16,1 %), Durrës (14,0 %) dhe Korçë (8,9 %).

Në udhëtimet e kryera jashtë Shqipërie përqindjet më larta janë regjistruar në: Greqi (2,1 %), Kosovë (2,0 %) dhe Itali (1,7 %).

INSTAT bën të ditur se, “nëse do të analizojmë udhëtimet e kryera në Shqipëri përgjatë tremujorëve të shpërndara sipas qëllimit “Pushime dhe kohë e lirë”, vihet re se në tremujorin e parë destinacion kryesor i udhëtimeve ka qenë qarku i Tiranës me 28,9 %, ndërsa udhëtimet që kanë si destinacion kryesor qarkun e Durrësit kanë regjistruar përqindjen më të lartë të udhëtimeve në tremujorin e dytë 39,0 %, dhe për tremujorin e tretë është regjistruar si destinacion i preferuar qarku i Vlorës me 51,9 %”.

Udhëtimet me destinacion kryesor qarkun e Korçës kanë shënuar përqindjen më të lartë të udhëtimeve në tremujorin e të katërt përkatësisht 28,1 %.

Sipas INSTAT, destinacionet më të preferuara të udhëtimeve të kryera jashtë Shqipërisë për “Pushime dhe kohë të lirë” për tremujorin e parë janë: Italia dhe Mali i Zi, për tremujorin e dytë: Mal i Zi dhe Maqedonia e Veriut, në tremujorin e tretë: Turqia dhe për tremujorin e katërt: Mal i Zi dhe Kosova.

Për të gjitha llojet e udhëtimeve të kryera brenda dhe jashtë Shqipërisë, në vitin 2020 pesha më e lartë sipas llojit të akomodimit është regjistruar për kategorinë “qëndrim tek të afërmit ose miqtë”, ndjekur nga kategoria “hotel”.

“Rreth 3,1 milionë udhëtime janë kryer nëpërmjet transportit rrugor të cilët përbëjnë 96,4 % të të gjithë udhëtimeve të kryera në vitin 2020. Rritja më e lartë është regjistruar në transportin rrugor nëpërmjet makinave private me 15 pikë përqind” nënvizon INSTAT.