Në këtë vend europian mund të udhëtoni gjatë verës për vetëm 9 euro në muaj

78

Një muaj i tërë transporti i pakufizuar, për vetëm 9 euro (9,50 dollarë) – kjo është një marrëveshje e mirë në çdo kohë, por në një periudhë rritjesh të çmimeve të karburantit, të tarifave të makinave me qira dhe të një krize mbarëbotërore të kostos së jetesës, ajo bëhet e pamposhtur.

Bëni valixhet gati, pasi destinacioni i udhëtimit më i leverdishëm i verës, nëse shkoni me mjete transporti, duket se është Gjermania.

Qeveria gjermane miratoi sot krijimin e një bilete mujore të transportit publik prej 9 eurosh (9,50 dollarë). Ai do të nisë në qershor – pikërisht në kohë për një udhëtim në verë.
Sipas mediave lokale, bileta mund të përdoret në gjithë vendin, në transportin lokal dhe rajonal (trena, autobusë dhe trame).

Megjithatë, lokale do të thotë lokale – kështu që bileta nuk mund të përdoret për shërbimet e autobusëve ose trenave në distanca të gjata. Me fjalë të tjera, trenat e njohur IC, EC dhe ICE përjashtohen – megjithëse ju mund të kombinoni një udhëtim në një distancë të gjatë me transportin rajonal të mbuluar nga bileta.

Oferta do të jetë e vlefshme për muajt qershor, korrik dhe gusht, si pjesë e një pakete qeveritare për kursimin e energjisë, e cila nxit njerëzit të përdorin transportin publik për të lëvizur këtë verë. Qeveria ka financuar 2.5 miliardë euro (2.6 miliardë dollarë) në këtë projekt.

Çdo biletë do të jetë e vlefshme për çdo muaj kalendarik – pra nëse blini biletë më datë 14, mund ta përdorni sërish vetëm në fund të muajit.

Edhe pse është menduar për vendasit, bileta mund të blihet edhe nga turistët. Deutsche Bahn, Hekurudha Kombëtare e Gjermanisë, ka shtuar tashmë biletat në faqen e saj në internet. Ato do të dalin në shitje më 23 maj.