Në shtigjet e dhisë së egër, në Parkun Kombëtar të Prespës

25

Dhia e egër (Rupicapra rupicapra balcanica) është një lloj i mbrojtur me shumë rëndësi në ekosistem, duke ndikuar në bimësinë e zonave ku ky lloj herbivor kullot, por edhe në gjithë zinxhirin ushqimor.

Për të analizuar statusin e dhisë së egër në rajonin e Prespës dhe për t’u përgatitur për monitorimin e parë të plotë në këtë rajon, u realizua një takim tre ditor në zyrën tonë lokale në Prespë, gjatë muajit të kaluar. Përfaqësues nga Parku i Galiçicës, Parku Kombëtar i Prespës, dhe ekspertë nga Balkan Chamois Society diskutuan mbi statusin e popullatës së dhisë së egër (në pjesët respektive të Prespës), kërcënimet që has ky lloj si dhe metodologjinë e monitorimit të saj.

Duke identifikuar edhe nevojën për rritjen e kapaciteteve të stafeve dhe zhvillimin e protokolleve monitoruese, PPNEA dhe stafet e Zonave të Mbrojtura në Prespën ndërkufitare, vazhduan me vizitat në terren për identifikimin e habitateve potenciale të dhisë së egër në Malin e Thatë dhe Galiçicë, grumbullimin e të dhënave dhe shenjave për praninë e saj, duke instaluar edhe kamera kurth që do të na mundësojnë pamjet reale./PPNEA