Nënë Tereza, shenjtorja me nënshtetësi shqiptare

0

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se më datë 14 shkurt të vitit 1990, mori nënshtetësinë shqiptare Shenjtorja Tereza.

Nënë Tereza, siç e njohi bota mbarë Anjezë Gonxhe Bojaxhiun pasi iu kushtua murgërisë në moshën 18-vjeçare, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Gonxhja ishte fëmija i tretë që vinte si fryt i kurorës së vënë mes Nikollë Bojaxhiut dhe Drane Barnajt.

Pasionet e saj vajzërore ishin mësuesia, të shkruarit, diktimi i poezive dhe muzika, të cilat të marra në asambël pasqyrojnë ndijimet e thekshme që e prinë drejt vokacionit sipëror, fesë.

Më 26 shtator 1928, Nënë Tereza do ta linte Shkupin për të nisur misionin e saj fisnik në shërbim të të pamundurve, pa ditur se prej kësaj dite, do t’u jepte lamtumirën për së gjalli nënës dhe motrës së saj. U vendos në Kalkutë të Indisë, ku fillimisht qe mësuese, sikurse dëshironte hershëm. Më pas, u caktua drejtoreshë e shkollës së vajzave.

Në kuadër të shërbesës së përkushtuar ndaj nevojtarëve, themeloi urdhërin “Misionaret e Dashurisë” (1951). Për këtë përulësi të pashembullt, do të vlerësohej në vitin 1979 me çmimin Nobel për Paqe, prej nga ku u mësua botërisht kombësia e saj shqiptare.

/ata.gov.al