New York Times rekomandon leximin e Ismail Kadaresë

213

Gazeta prestigjioze amerikane New York Times i rekomandon lexuesit të lexojnë librin “Kamarja e turpit” të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare . Në listën prej 9 librash që rekomandon çdo javë për lexuesit e saj, New York Times rendit “Kamaren e turpit” si një nga librat që nuk duhet humbur pa lexuar.

Vetëm një javë më parë në faqet e kësaj gazete shkrimtari dhe historiani i njohur Jason Goodwin bëri një analizë për këtë vepër duke e quajtur një letërsi të madhe. Libri është përkthyer në anglisht nga John Hodgson. “Kërkimi për kokën e prerë të Ali Pashë Tepelenës shërben si një simbol i errët satirik në këtë roman shqiptar të botuar fillimisht në vitin 1978, një fabulë alegorike për autoritarizmin e shekullit të 20-të,” shkruante Jason Goodwin. “Ndërsa ky roman vendoset në mënyrë të shkëlqyer, lakonike dhe me elemente të zymtë komikë, bëhet e qartë se shteti është, në mënyrën e vet, një kokë e frikshme. Një Meduzë, ndoshta, me aftësinë për të shkatërruar,” vijon më tej kritiku i NY Times.

“ Kamarja e turpit” ka qenë botuar për herë të parë më 1978, si pjesë përbërëse e librit “Ura me tri harqe”, me titullin “Pashallëqet e mëdha”. Romani që ka në qendër fatin e Ali Tepelenës, pashait rebel shqiptar, që u ngrit kundër sulltanit dhe shtetit osman, është konsideruar nga kritika botërore si një nga veprat më tragjike të Kadaresë, ku përshkruhet terrori shtetëror. Ashtu si për “Muzgun e perëndive të stepës”, shtypi shqiptar i kohës ka mbajtur heshtje të plotë për të. Po ta shikojmë si tërësi “Kamaren e turpit”, lehtë do të bindemi se fund e krye përshkohet nga një atmosferë e pastër tragjike, e cila ushqehet në mënyrë sistematike nga mekanizmat që i përcakton fuqia e pushtetit totalitar. Duke e transferuar rrëfimin e tij herë në një mjedis, e herë në tjetrin, njëherë në qendër të perandorisë, e pastaj edhe në skajin e saj, autori tërheq vija të qarta me dimensione tragjike.

Burimi: Shqip.com