Nga 11 marsi, anëtarësim dhe përdorim i materialeve bibliotekare online nëpërmjet e-Albania

31

Duke nisur nga 11 marsi i këtij viti, kërkesat e qytetarëve për anëtarësim në Bibliotekën Kombëtare dhe kërkesat e përdoruesve për përdorimin e materialeve bibliotekare brenda mjediseve të Bibliotekës Kombëtare do të ofrohen nëpërmjet portalit e-Albania.

Specialistët e Bibliotekës Kombëtare kanë shpjeguar procedurën e plotë sesi mund të aksesohen online.  Si fillim, individi duhet të identifikohet si qytetar në portal, më pas të  zgjedhë  shërbimin “Aplikim për anëtarësim në Bibliotekën Kombëtare” e të klikojë mbi butonin “përdor”. Më pas, plotësohet formulari elektronik me të dhënat e nevojshme, klikohet  në butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit.

Ndërkaq, individët duhet të paraqiten pranë mjediseve të Bibliotekës Kombëtare me 2  fotografi të formatit të vogël për t’u pajisur me kartelën dhe librezën e anëtarësimit.

Lidhur me kohën e marrjes së shërbimit, kjo e fundit ndodh menjëherë sapo paraqiteni pranë mjediseve të Bibliotekës Kombëtare. Ndërkaq, anëtarësimi është vjetor.

Aplikimi për huazim leximi në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë kryhet sipas së njëjtës procedure përveçse kur zgjidhet shërbimin, duhet të klikoni mbi “Aplikim për huazim për lexim në sallat e Bibliotekës Kombëtare”. Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit është 24 orë nga plotësimi i aplikimit sipas orarit zyrtar të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

Lidhur me periudhën e vlefshmërisë, shërbimi i materialit të kërkuar mbetet në dispozicion të lexuesit, me kërkesën e tij, deri në përfundim të punës së tij kërkimore sipas rregullores.