Nga domatet, gështenjat e shegët – produktet që kompanitë vlerësojnë si potencial në Shqipëri

27

Kompanitë shqiptare vlerësojnë se agropërpunimi është një sektor që ka hapësira për t’u zhvilluar e për t’u mbështetur drejt një rritjeje më të konsoliduar.

Sipas një ankete të Sekretariatit të Këshillit të Investimeve janë të paktën tre produkte që dominojnë, por potenciali i zhvillimit shkon përtej tyre.

“Industria agropërpunuese konsiderohet se ka potenciale për investime dhe rritje të kontributit në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Pjesa dërmuese e kompanive të intervistuara (37 nga 42 ndërmarrje) konsiderojnë që agropërpunimi ka potencial dhe mundësi të mira investimi në Shqipëri. Ndër produktet e zgjedhura, gështenjat, domatet dhe bimët medicinale/aromatike konsiderohen nga kompanitë e intervistuara si tre produktet kryesore që kanë më shumë potencial për agropërpunim. Produkte të tjera të konsideruara si potenciale përfshijnë: vaj ulliri, mjaltë, boronicë, luleshtrydhe dhe shegë” thuhet në dokumentin e Këshillit.

Sekretariati bëri me dije se sektori përfaqësohet me një total prej 2.476 kompani, të vendosura në rajone të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht në afërsi të burimeve përkatëse të furnizimit. Një shumicë e madhe e ndërmarrjeve janë të përfshira në disa hapa në të gjithë zinxhirin e vlerës, nga prodhimi, grumbullimi te përpunimi dhe tregtimi, përfshirë tregjet lokale dhe të eksporteve.