Nga korridori dixhital 5G, te heqja e kufijve/ 13 marrëveshjet e nënshkruara mes Shqipërisë e Kosovës

16

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës nënshkruan sot në Tiranë 13 marrëveshje bashkëpunimi në disa fusha, nisur nga bashkëpunimi ekonomik, e deri te marrëveshjet për bashkëpunim kulturor, në arsim e shëndetësi.

U nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës të Republikës së Kosovës mbi bashkëpunimin në fushën e transportit hekurudhor.

Ministritë e Jashtme nënshkruan marrëveshjen për vlerësimin e krijimit të fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës.

Ministritë e Mbrojtjes nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste fatkeqësish natyrore dhe fatkeqësive të tjera.

Ministritë e Brendshme nënshkruan protokollin për ndryshim dhe shtesë në marrëveshjen për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë.

Ministrite e Financave nënshkruan protokollin ndryshues të marrëveshjes së bashkëpunimit për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal.

Financat po ashtu nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim për mobilitetin në punë.

U nënshkrua memorandumi për bashkëpunim në krijimin e korridorit dixhital 5G, dhe lehtësimin e lëvizjes në të ardhmen.

Në fushën e arsimit u nënshkruan memorandumin për bashkëpunim për themelimin e ligës së përbashkët të basketbollit ndërmjet dy Federatave të Basketbollit.

U nënshkrua edhe memorandumi për bashkëpunim për platformën e përbashkët dixhitale të arsimit parauniversitar.

Në fushën e kulturës u nënshkruan marrëveshjen për krijimin e kalendarit të përbashkët kulturor vjetor, si dhe marrëveshjen për bashkëprodhim të filmit.

Në fushën e shëndetësisë u nënshkruan protokollin shtesë të marrëveshjes së bashkëpunimit në përballje me COVID-19.