Nga plazhet, kufijtë dhe lëvizja me makinë/ Të hënën hapet komplet Shqipëria, por disa aktivitete nuk lejohen ende

35

Prej datës 1 qershor do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin dhe do të hapen çerdhet e kopshtet. Më 1 qershor do të hapen edhe kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin e detyruar dyjavor për të ardhurit dhe duke e vendosur atë vetëm për raste specifike.

Do të lejohen nga data 1 qershor kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit si dhe palestrat sipas protokolleve të sigurisë.

Këtë të shtunë dhe të diel do të hiqen kufizimet e orareve për qytetarët dhe bizneset, por edhe këtë fundjavë nuk do të lejohet lëvizja e rezidentëve nga zonat e kuqe në zonat e gjelbërta deri të hënën kur këto kufizime do të hiqen.

Mbeten ende të mbyllura transporti publik, për të cilin po hartohet një protokoll i veçantë me Ministrinë e Transporteve që do të bëhet publik së shpejti. Ndërsa deri më datë 23 qershor do të mbeten të mbyllura aktivitetet kulturore, kinematë, teatrot, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferencat dhe dëgjesat publike.