Nga punëtor në sipërmarrës, historia e suksesit në Itali e Ermal Gjuzit

57

Quhet Ermal Gjuzi, është 29 vjeç dhe një djalë me origjinë nga Shqipëria i cili prej 10 vitesh jeton dhe punon në Scanzano Jonico, Matera në Itali.

“Erdha në Itali si punëtor i thjeshtë, pasi isha në dijeni të kërkesave për punë si mbledhës luleshtrydhesh të Metapontino; tashmë unë jam pronari i një ferme që punëson mbi 50 persona, 25 prej të cilëve të punësuar gjatë gjithë vitit”, thotë ai për median italiane.

Ermali thotë se në pesë vitet e para ka punuar shumë duke fituar gradualisht besimin e punëdhënësit të tij që më pas e mbështeti në realizimin e ëndrrës: të krijonte sipërmarrjen e tij.

“Fillova të kultivoj në më pak se dy hektarë luleshtrydhe, tani kam 10 me qira, si dhe tre të tjera për perimet. Kryesisht kultivoj Sabrosa- Candonga, por kam dhe një hektar Fortuna, një varietet që çdo vit më jep mundësinë të hap sezonin e luleshtrydhes që në nëntor”, rrëfen Ermali.

29-vjeçari shqiptar thotë se për momentin tregtimi i luleshtrydheve të tij i është besuar një kompani në Scanzano Jonico, por projekti i blerjes së një magazine dhe vendosja e një përpunimi dhe paketimi të induktuar të produktit po bëhet gjithnjë e më realist pas asaj që Ermali nisi të bënte vitet e fundit për pajisjet dhe makineritë bujqësore.

“Jam shumë i kënaqur me zgjedhjen time sipërmarrëse. Është fitorja ime sociale, kulturore dhe ekonomike. Për të gjithë ata të rinj që po kalojnë sot ato që kam kaluar unë u them: Mos kini frikë të veproni, të ndërmerrni inciativa, të gaboni dhe të investoni. Duhet të besoni në të dhe të përkushtoheni plotësisht: në fushën e bujqësisë përkushtimi duhet më i madh, por asgjë nuk është e pamundur. Mendoni së pari për prodhimin dhe mundësinë për të prodhuar fruta me cilësi të lartë; atëherë shitjet do të vijnë vetë”, thotë Ermali.