Nga Shkodra në Vlorë, cilat janë qytetet më kursimtare në Shqipëri

25

Gjatë vitit të kaluar, totali i depozitave në sektorin bankar në vendin tonë ka prekur një rekord të ri historik. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e katërt të 2020-ës, tregojnë se totali i depozitave në sektorin bankar fiksohej në 1.29 trilionë lekë, çka përkthehet në rreth 10.5 mld euro.

Duke bërë një krahasim me tremujorin e 4-tët të vitit paraardhës, dalim në përfundimin se, gjatë 2020-ës, vitit të pandemisë, shqiptarët kanë rritur me rreth 772 mln euro depozitat e tyre. Rritja vjetore fiksohet në 7.9%, çka përkthehet në rritjen më të madhe të 4 viteve të fundit.

Po ti shohim të dhënat sipas rretheve ndërkohë, rezulton se banorët e kryqytetit janë ata që kanë kursyer më shumë, duke rritur me 11.8% depozitat e tyre. Me diferencë të ndjeshme ndjekin rrethet e tjera. Në vend të dytë dhe të tretë kemi Durrsakët dhe Elbasanllinjtë, të cilët kanë rritur me 5.4% kursimet e tyre në banka. Lezha vijon renditjen, me një rritje të depozitave me 4.6% krahasuar me vitin paraardhës. Fieri dhe Vlora ndërkohë regjistrojnë një rritje me 3.8% dhe 3.7% respektivisht.

Ata që kanë kursyer më pak nga pandemia ndërkohë duket të jenë shkodranët dhe korçarët, me vetëm 1.8% dhe 1.6% rritje të depozitave.