Nga Thethi në Ksamil, faqja e njohur polake: Shqipëria, perlë turistike dhe mrekulli spektakolare e natyrës

24

Ndërkohë që nuk është më aq e sigurt të udhëtosh në disa nga destinacionet e parapëlqyera për pushime në bregun juglindor të detit Mesdhe, njerëzit po kërkojnë një alternative të mirë dhe shumë prej tyre kanë vendosur të vizitojnë Shqipërinë dhe unë jam padyshim një përkrahëse e madhe e kësaj ideje, shkruan blogerja Kamila Napora për faqen e njohur polake të turizmit mywanderlust.pl.

Bregdeti shqiptar është spektakolar dhe plazhi i Ksamil është tashmë një perlë me famë botërore, por vendi ka shumë më tepër për të ofruar se sa nga disa vendet kryesore të Ballkanit.

Qytete të bukura prej guri, mrekulli spektakolare të natyrës, male që të lënë pa frymë dhe një kryeqytet shokues. Mund t’i shihni të gjitha nëse vendosni të vizitoni Shqipërinë!

Udhëtim vetëm nëpër Shqipëri

Herën e dytë në Shqipëri, unë kam udhëtuar vetëm. Jam ndjerë vërtet e sigurt gjatë gjithë kohës. Njerëzit ishin me të vërtetë miqësorë, mikpritës dhe të ndihmonin kur ishte e nevojshme.

Disa nga miqtë e mi kanë udhëtuar vetëm përreth Shqipërisë dhe thonë vetëm fjalë të mira në lidhje me të!

Turizmi në Shqipëri/ Çfarë të vizitosh?

Gjatë dy udhëtimeve të mia në vend, kam vizituar vendet më të mira që ofron turizmi në Shqipëri. Sinqerisht mund të them se i kam shijuar të gjitha dhe jua rekomandoj ata!

Të dyja herë kam shkuar në vjeshtë (fillimi i tetorit dhe mesi i nëntorit) dhe mund të rekomandoj patjetër këtë kohë të vitit!

Moti është akoma me të vërtetë i mirë, turmat e pushuesve verorë janë zhdukur dhe mund të gjesh lehtë strehim të lirë ose të udhëtosh mes vendeve. Vjeshta është koha për të vizituar Shqipërinë!

Tirana

Tirana m’u duk jashtëzakonisht e lezetshme dhe vërtet e shijova kohën time atje!

Atmosfera është një nga më të mirat që kam hasur ndonjëherë!

Ajo është njëkohësisht e çuditshme dhe magjepsëse. Dhe super shumëngjyrëshe!

Edhe pse boja e ndërtesave dalëngadalë po venitet, përshtypja e përgjithshme mbetet ende vezulluese!

Tirana dhe veçanërisht lagjja e saj, Blloku, është shtëpia e një prej kulturave më të mira të kafeneve që kam hasur ndonjëherë dhe kjo është tashmë një arsye e mirë për të kaluar ca kohë atje!

Berati

Berati është vendi i parë që kam vizituar në Shqipëri dhe nuk mund të kërkoja një prezantim më të mirë, veçanërisht, pasi është edhe në listën e UNESCO-s.

Qyteti shpesh quhet “qyteti i një mbi një dritareve” dhe e ka marrë këtë titull ngaqë shtëpi të shumta të bukura, me dritare të mëdha, janë të vendosura mbi njëra-tjetrën duke të krijuar këtë përshtypje.

Ia vlen të ngjitesh, gjithashtu, deri te kalaja, sepse pamjet e Beratit dhe rrethinave të tij prej andej janë vërtet të jashtëzakonshme!

Gjirokastra

Ndërsa Berati quhet qyteti i 1 000 dritareve, Gjirokastra ka një titull tjetër, atë të qytetit të 1 000 shkallëve.

Vetë Gjirokastra është një qytet i bukur i gurtë, ku koha duket se ka ndalur.

Së bashku me Beratin, Gjirokastra është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

 Ksamili

Një perlë e vërtetë e bregdetit shqiptar, Ksamil konsiderohet si një nga plazhet më të bukura në Shqipëri.

Uji i bruztë, plazhi me rërë të imët dhe ishujt e afërt e bëjnë Ksamilin të duket si një parajsë.

Butrinti

Vetëm pesë kilometra larg Ksamilit, do të gjeni Butrintin, një tjetër vend i listuar në UNESCO.

Ky vendbanim i lashtë, që daton nga shekulli i VIII-të para Krishtit, është një vend me të vërtetë magjepsës, me aq shumë mbetje të së kaluarës, saqë do t’ju mbajë të zënë për disa orë.

Nëse jeni adhurues i historisë, keni për ta pëlqyer atë!

Saranda

Në fillim, mund të duket si një vend pushimi jotërheqës bregdetar, me asgjë tjetër përveç betonit, por Saranda mund të jetë shumë më interesante nga sa duket.

Nëse po kërkoni destinacionin e pushimeve gjallëruese, kjo është përgjigjja juaj shqiptare.

Pogradeci

Liqeni i Ohrit është një nga vendet më të bukura që kam parë në Ballkan.

Pjesa shqiptare e tij, me malet madhështore në sfond, duket e mrekullueshme.

Restorantet e shumta janë një mundësi e shkëlqyer për të shijuar një drekë me pamje mahnitëse.

Liqeni i Komanit

Udhëtimi nëpër Liqenin e Komanit është në krye të listës sime të udhëtimeve të ardhshme në Shqipëri.

Disa e quajnë atë më të bukurin në botë dhe, edhe pse unë zakonisht jam paksa skeptike kundrejt emërtimeve të tilla, ky vend me të vërtetë duket i mahnitshëm në foto!

Me tërë ato kthesa, shkëmbinj e ujëvara duket si fjordet e Norvegjisë.

Valbona dhe Thethi

Këto janë dy nga fshatrat malorë më të rëndësishëm dhe më të bukur në Shqipëri.

Të vendosur në të dy anët e Alpeve Shqiptare, ata duken kaq të virgjër, kaq të pastër dhe kaq të bukur!

Shkodra

Liqenin i Shkodrës, më i madhi në Ballkan, më ka vjedhur zemrën. Ai është aq qetë dhe i pacënuar, saqë do të qëndroja atje me javë të tëra!

Por edhe vetë qyteti është vërtet interesant, me Kalanë e Rozafës dhe qendrën plot gjallëri.

Syri i Kaltër

Disa minuta larg rrugës Sarandë – Gjirokastër, ky burim i virgjër është një parajsë e vërtetë, me ujëra të kthjellët blu dhe shelgje lotues për hije.

Ai është vendi  i përsosur në ditët e nxehta të verës, një përhumbje e përsosur në natyrë.

Kruja

Sigurisht, kështjella është një vend vërtet mbresëlënës, i rrethuar nga male, por arsyeja kryesore pse duhet të vizitoni Krujën është pazari i saj. Ai konsiderohet të jetë më i miri në Shqipëri për blerje suveniresh.