Nga veriu në jug, të dhënat e prodhimit blegtoral në Shqipëri. Ja qarqet me më shumë ferma dhe si ndahet prodhimi

57

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, publikoi statistikat zyrtare të prodhimit blegtoral në Shqipëri për vitin 2019, sipas të  cilave në mbi 220 mijë fermat blegtorale, u prodhuan 157 mijë tonë mish dhe mbi 1 120 tonë qumësht.

Të dhënat sipas qarqeve tregojnë se, Fieri kryeson me numrin më të madh të fermave blegtorale që shënon 36 249 të tilla.

Më pas renditet qarku i Elbasanit me 29 249 ferma blegtorale, për të vijuar me Korçën ku numërohen 26 089 ferma dhe 21 659 ferma blegtorale në qarkun Shkodër.

MBZHR bën të ditur se, “në qarkun e Dibrës regjistrohen 14 124 ferma blegtorale, 14 729 ferma ka në Berat, 10 457 ferma në Durrës, 6 360 ferma në Gjirokastër, 8 797 të tilla në Kukës, 17 289 në Lezhë, 18 472 ferma në Tiranë dhe 16 257 ferma blegtorale janë në qarkun e Vlorës”.

Prodhimi i mishit gjatë vitit 2019, regjistroi shifrën 156 898 kg në shkallë vendi. Qarku i Fierit kryeson me sasinë më të lartë prej 30 295 kg. Më pas vjen Vlora me 20 930 kg.

Në vendin e tretë për sasinë më të madhe të prodhimit të mishit në vend, vjen Elbasani me 17 074 kg mish, 14 134 kg në Korçë, 11 325 kg në Tiranë, 11 205 kg në Shkodër, 10 265 kg në Lezhë dhe Berati shënon sasinë e 10 009 kg mish të prodhuar gjatë vitit të kaluar.

Qarqet me prodhim të mishit nën 10 mijë kg janë : Dibra me 9 380 kg, 8 486 në Durrës, 8 926 kg në Gjirokastër dhe  4 871 kg në Kukës.

Statistikat e publikuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, tregojnë se 1.112 ton qumësht u prodhua gjatë vitit 2019.

Sipas të dhënave të MBZHR, qarku me prodhimin më të lartë të qumështit është Fieri, ku për 2019-n llogariten mbi 216 mijë tonë qumësht. Më pas renditen Qarku i Elbasanit me 142 mijë tonë, Korça me 112 mijë tonë, Tirana 114 mijë tonë qumësht.

Ndërsa qarqet e tjera kanë një sasi nën 100 mijë tonë qumësht të prodhuar. Kështu Vlora regjistron një sasi totale të prodhimit të qumështit në 90 mijë ton, 86 mijë ton në Shkodër, 76 mijë ton në Dibër, 69 mijë ton në Durrës, 61 mijë ton Lezha, Berati me 60 mijë ton, 46 mijë ton Kukësi dhe Gjirokastra shënon një prodhim prej 41 mijë tonë qumësht gjatë vitit 2019.

Kompanitë e grumbullimit dhe përpunimit në treg, mbledhin qumështin në fshatrat pranë vendit që kanë fabrikën, ndërsa në sajë të mbështetjes financiare nga Skemat e Mbështetjes dhe Programi IPARD po rrisin investimet në linjat e përpunimit sipas teknologjive bashkëkohore.

Gjatë viteve të fundit një zhvillim të vrullshëm ka marrë edhe industria e prodhimit të vezëve. Madje prodhimi vendas i vezëve jo vetëm plotëson kërkesat e tregut vendas por edhe eksportohen në tregjet rajonale.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, më shumë se 864 milionë kokrra vezë u prodhuan në Shqipëri gjatë vitit 2019.

Të dhënat statistikore tregojnë për një shtrirje të kësaj industrie në të gjithë vendin ku dominon qarku i Durrësit me prodhimin më të lartë në sasinë  270 milionë kokrra, Shkodra me 104 milionë kokrra dhe në vendin e tretë renditet qarku i Fierit me 86 milionë kokrra vezë të prodhuara.

Industria e prodhimit të vezëve shënon shifra të larta prodhimi edhe në qarqet; Elbasan me 76 milionë kokrra, 75 milionë kokrra vezë në Berat, Tirana me 70 milionë kokrra, 59 milionë kokrra në Vlorë, 39 milionë kokrra në Kor]ë dhe 34 milionë kokrra në Dibër.

Qarqet Lezhë, Kukës dhe Gjirokastër regjistrojnë një sasi të prodhimit të vezëve përkatësisht në shifrat 22 milionë kokrra, 15 milionë kokrra dhe 14 milionë kokrra vezë të prodhuara.

Degë e blegtorisë është e bletaria. Vitet e fundit ky sektor është rigjallëruar në sajë edhe të mbështetjes së drejtëpërdrejtë financiare të Skemës Kombëtare por edhe të programit IPARD për teknologjitë e standartizimit në laboratorët e kontrollit të cilësisë të mjaltit.

MBZHR bën të ditur se, më shumë se 4 116 kg mjaltë u prodhua në vitin 2019.

Sipas qarqeve, Vlora kryeson me sasinë më të madhe të prodhimit të mjaltit  që kap shifrën 674 kg dhe  Korça me 631 kg mjaltë.

Prodhimi i mjaltit regjistron shifra mbi 400 kg në qarqet  Shkodër  486 kg,  Elbasan 436 kg, Gjirokastër  402 kg.

Për të vijuar me Fierin ku prodhimi i mjaltit në 2019 shënoi 331 kg, Kukësi me 232 kg, 277 kg Tirana, 172 kg në Dibër, 129 kg Durrësi dhe 138 kg Lezha.

Vitet e fundit edhe prodhimi i leshit është rritur për shkak të kërkesës së shtuar të tregut  për prodhime të ndryshme.

Sipas MBZHR 3182 kg lesh u prodhua gjatë 2019. Sipas qarqeve kryeson Vlora me 607 kg, Fieri me 497 kg,  Elbasani me 398 kg, Korça me 364 kg, Gjirokastra me 350 kg,  Berati me 252 kg, Dibra me 235 kg, Tirana me 139 kg, Shkodra me 111 kg, Durrësi  me 99 kg,  Lezha me 66 kg dhe Kukësi me 63 kg.