Nis eksporti, gështenjat “Made in Albania” më të kërkuarat në Itali

109

Ka nisur eksporti i gështenjave “Made in Albania”, drejt Italisë.

Të dhënat paraprake nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tregojnë se që prej fillimit të sezonit të prodhimit (shtator -tetor) janë eksportuar mbi 700 tonë gështenja.

Pjesa më e madhe e prodhimit të gështenjave eksportohet në Itali, ku dhe përpunohet.

Eksportet e gështenjave “Made in Albania” arrijnë çdo vit në mbi 6 mijë tonë, me një vlerë deri në 8 milionë euro.

Ndërkohë që kërkesa në rritje e tregut të huaj për këtë produkt, e ka kthyer gështenjën në një ekonomi shtesë për të ardhurat e familjeve që merren me këtë aktivitet.

Zona veriore e vendit, Tropoja, ka hapësirën më të madhe të mbjellë me gështenja në gjithë Shqipërinë. Si një produkt unik i kësaj zone, i certifikuar tashmë nga institucionet përkatëse, si “Gështenja e Tropojës” me standardin më të lartë, ka arritur të shtojë vlerën e produktit në gati me tre herë në vitet e fundit, ndërsa të ardhurat nga eksporti i gështenjës vetëm për Tropojën arrijë gati 3 milionë euro në vit.

Tropoja gjithashtu ka sot një qendër moderne të grumbullimit të gështenjave, e ngritur me mbështetjen financiare të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, me të cilën ndërveprojnë 3 mijë familje për mbledhjen, depozitimin dhe eksportin e gështenjës në Evropë.