Nis puna për ndërtimin e Mozaikut të Traditës në Shirokë

36

Fondi Shqiptar i Zhvillimit njofton në faqen e saj zyrtare se ka nisur puna për rivitalizimin e sheshit të Shirokës. Ky proces do të ndiqet nga faza e shtrimit me pllaka, mozaikët e të cilit janë frymëzuar nga motivet popullore. Paralelisht me punimet në shesh, FSHZH bën me dije se po punohet edhe  për strukturën e platformës së liqenit, zonën e piknikut si dhe për zonën e parkimit.

Projekti për rikonstruksionin e Sheshit të Shirokës parashikon trajtimin e një hapësire prej 20, 000 m2 dhe restaurimin e 2,000 m2 fasada të godinave pranë sheshit. Gjithashtu në projekt parashikohet dekorimi me gurë e dru, sistem ndriçimi dhe mobilim urban si dhe gjelbërim e sinjalistikë.

Sipas FSHZH rikonstruksioni i Sheshit të Shirokës është një investim që në të ardhmen pritet të integrohet me projektin “Për Rikualifikimin e Bregut Perëndimor të liqenit të Shkodrës, pasi aktualisht zona e liqenit nuk shfrytëzon maksimalisht potencialin që ka në dispozicion. “Projekti synon ta kthejë Shirokën në një qendër të rëndësishme argëtimi, kulture dhe turizmi duke nxitur aktivitete në liqen dhe rreth tij, si dhe duke ringjallur historinë e traditat pa prekur karakterin natyror të zonës,” përmbyll njoftimin FSHZH.