Nis puna për restaurimin e Memorialit të Skënderbeut

338

Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut” ka nisur puna për restaurimin e Memorialit të Skënderbeut, Kishës së Shën Nikollit (Vendvarrimi i Skënderbeut) dhe Muret e Qytetit Antik Lis, Zona Breglumore e Parkut Arkeologjik.

Ky projekt me vlerë 30 milion lekë, financohet nga Ministria e Kulturës dhe realizohet brenda Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit. Projekti i restaurimit është hartuar nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe parashikon restaurimin e plotë të memorialit, Kishës së Shen Nikollit, riformulimin e mbulesës së objektit, sistemin e ndriçimit dekorativ dhe funksional, si dhe ndërhyrje konservuese – restauruese në mozaik dhe afresk.

Muzeu i Kastriotëve, në fshatin Sinë të rrethit të Dibrës, do t’i nënshtrohet restaurimit, ndaj për shumë pak kohë nuk do të jetë i vizitueshëm. Projekti i hartuar nga specialistët e IMK-së ka për qëllim restaurimin e plotë të objektit, riorganizimin e sistemit të ndriçimit dhe instalimeve elektrike, si dhe sistemimin e territorit përreth godinës. Pjesë e rëndësishme e projektit është edhe muzealizimi.

Duke vlerësuar inventarin e pasur të muzeut dhe ambientin e ekspozimit, projekti synon riorganizimin e tabelave të ekspozimit, në cilësi, dimensione dhe formë. Muzeu i restauruar shumë shpejt do të kthehet në një tjetër itinerar mjaft tërheqës për turistët. Trashëgimia kulturore dhe turizmi kulturor – prioritetet e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës.