Nis restaurimi i shtëpisë-muze të vëllezërve Frashëri në Përmet

422

Shtëpia muze e vëllezërve Frashëri, monument kulture i kategorisë I, e ndodhur në hyrje të fshatit me të njëjtin emër në qytetin e Përmetit, tashmë i është nënshtruar procesit të restaurimit.

Për restaurimin “Shtëpia e Vëllezërve Frashëri”, janë parashikuar ndërhyrje në restaurimin e çatisë, dyerve dhe dritareve në përgjithësi, eleminimin e çarjeve në fasadë, restaurimin e dyshemeve dhe riparime në suvatime. Gjithashtu do të bëhet sistemimi i terrenit përreth.

Kjo shtëpi muze është ndërtuar në vitin 1974 mbi rrënojat e banesës së vjetër të shkatërruar. Ajo u rikonceptua si një përmbledhje e historikut të zonës, e veprimtarisë së tre rilindasve dhe është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare.

Interesi për këtë banesë duket se është jo i pakët, për vetë rëndësinë dhe historinë që ajo ka. Shtëpia-muze përmban në fondin e saj libra e dorëshkrime të vëllezërve Frashëri, ku mund të veçojmë disa botime origjinale të Sami Frashërit.

Burimi: ATSH