Nisin aplikimet për bursa në Itali

248

Nisin aplikimet për bursa shkëmbimi për studime në Universitetin e Tuscia në Itali, për semestrin e dytë të vitit akademik 2018-2019. Universiteti i Tiranës ka bërë publike procedurat e aplikimit për nivelet bachelor dhe master në disa fusha si ekonomi, marketing, inxhinieri mekanike, inxhinieri industriale, shkenca politike, komunikim publik etj.

Sipas njoftimit të bërë publik, studentët që përfitojnë nga programi “Erasmus +” nuk do të paguajnë asnjë tarifë për shkollim në universitetin pritës.

Studentët do të vazhdojnë të paguajnë shkollimin e tyre dhe tarifat e regjistrimit në universitetin e tyre të origjinës. Bursat në fjalë përfshijnë një kompensim prej 850 euro në muaj për studentët, po ashtu aplikantët nuk do të paguajnë kostot e udhëtimit shuma e kompensimit të të cilave varet nga distanca dhe variojnë nga 180 deri në 1100 euro.

Universiteti i Tiranës ka shpallur listën e dokumentave të nevojshme për aplikim për studentët të nivelit bachelor dhe atyre master, në faqen e tij zyrtare, duke lajmëruar si afat të fundit për aplikim datën 2 nëntor 2018.