Nisin punimet për ndërtimin e shkollës “Hillary Clinton”

2

Në një ceremoni të përbashkët, zv/kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ambasadori gjerman Peter Zingraf, kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, drejtoresha e Zyrës së KfW-së për Shqipërinë, Brit Horschke si edhe drejtori i përgjithshëm i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli morën pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për ndërtimin e ambienteve të reja të shkollës 9-vjeçare “Hillary Clinton” në Kamzë.

Projekti, që arrin një vlerë mbi 6 milionë euro, do të krijojë ambiente të reja mësimi për 1300 nxënës. Masat janë pjesë e mbështetjes së qenësishme të dhënë nga qeveria Federale gjermane për procesin e rindërtimit në bashkinë e Kamzës me një vlerë prej 14.5 milionë eurosh dhe që zbatohet nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW.

Programi përfshin projektimin dhe ndërtimin e 3 shkollave të reja publike, të cilat do të zëvendësojnë ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti që goditi Shqipërinë në nëntor 2019. Dy nga shkollat që do të ndërtohen ndodhen në bashkinë e Kamzës, ndërsa e treta në atë të Durrësit (Ishëm).

Përveç kësaj, një zgjidhje e përkohshme (rindërtimi i përkohshëm i një ndërtese ekzistuese dhe kontejnerë shtesë) është dhënë tashmë në bashkinë e Durrësit (ambientet e shkollës “Vat Bushi”) që prej shtatorit 2022.

Objektivi i programit është të mbështesë rindërtimin e shkollave duke zbatuar standardet më të mira ndërkombëtare për projektimin e shkollave, në përputhje me standardet e eficiencës së energjisë dhe në një linjë me qasjen e qeverisë shqiptare “Rindërto më mirë”. Kjo do të kontribuojë në sigurimin e marrjes së një arsimi cilësor për të rinjtë, duke reduktuar konsumin e energjisë dhe kostot e operimit të shkollave të rindërtuara.

/ata.gov.al