Nisin punimet për rikonstruksionin e rrugës Shkafanë-Lalëz-Ishëm (FOTOT)

63

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka njoftuar fillimin e punimeve në objektin: “Përmirësimi i shtresave rrugore në aksin: “Shkafanë-Lalëz-Ishëm, Njësia Administrative Ishëm, Bashkia Durrës”.

Sipas njoftimit ndërhyrja në këtë rrugë fillon në degëzimin me rrugën Maminas – Shën Pjetër dhe përfundon në qendër të Njësisë Administrative Ishëm, konkretisht në pikën e takimit me aksin rrugor “Ura e Gjolës-Bubq-Ishëm” i cili është ndërtuar më parë nga FSHZH në kuadër të programit “Rikonstruksioni i Rrugëve Dytësore dhe Lokale”.

FSHZH bën me dije se projekti, në segmentin e I nga Shkafana deri në Lalëz, parashikon përmirësim total të shtresave rrugore ndërsa në segmentin e II Lalëz –Ishëm, parashikon përmirësim të pjesshëm të shtresave rrugore dhe ky aks shërben si rrugë turistike e cila bën lidhjen nga Ura e Gjolës në drejtim të Gjirit të Lalëzit dhe të Kepit të Rodonit.

“Gjithashtu nëpërmjet kësaj rruge  bëhet lidhja e disa fshatrave të Njësisë Administrative Ishëm me zyrat e kësaj njësie. Aktualisht punimet janë përqendruar në realizimin e nënshtresave rrugore,” shkruhet në njoftim.

Sipas FSHZH ky projekt pritet të ketë impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetës për banorët e zonës,  si dhe i jep mundësi zhvillimi  bizneseve private të llojit “Agroturizëm” në këtë zonë.