Një “bravo” nga shefi vlen më shumë se rritja e pagës/ 10 mënyra për t’i bërë të lumtur punonjësit

18

10 mënyra për t’i bërë të lumtur punonjësit

Falënderimi i bashkëpunëtorëve është një nga mënyrat më të thjeshta për të rritur produktivitetin dhe rendimentin e stafit.

Një kërkim i kryer nga “Absolute Digital Media” nxjerr në pah mënyrat më efikase. Ato nisin nga një “falënderim” i thjeshtë te largimi pak më herët nga puna të premten, nga më shumë kohë e lire te natyrisht një rritje page apo bonus. Investimi në përvojën e punonjësve është një investim i drejtpërdrejtë te rezultatet e kompanisë suaj. “Nxitja e një kulture të fortë kompanie është thelbësore për të reduktuar largimin e personelit dhe për të garantuar një cilësi pune të mirë” – vlerëson Ben Austin, CEO dhe themelues i “Absolute Digital Media”.

1. Nxjerrja në pah e rezultateve profesionale është mënyra më e mirë për të bërë të lumtur një punonjës (për 83% të punonjësve)

Në vend të parë për të rritur kënaqësinë te punonjësit nuk është rritja e pagës apo një shpërblim në zarf, por njohja dhe nxjerrja në pah e rezultateve profesionale. Kjo është mënyra e parapëlqyer për 83% të punonjësve të intervistuar nga sondazhi i “Absolute Digital Media” te 550 punonjës, për të kuptuar se cila nga 21 mënyrat në dispozicion të drejtuesit ose punëdhënësit i bëri ata të ndihen më të vlerësuar në vendin e punës, në një shkallë nga 1 në 10, nga të “nënvlerësuar” në “shumë të vlerësuar”.

2. Shpërblim ose rritje page (80%)

Natyrisht, një mënyrë e mirë për t’u treguar punonjësve vlerën e tyre, është nëpërmjet pagës. Ofrimi i një shpërblimi apo një rritje page u tregon, në mënyrë konkrete, bashkëpunëtorëve vlerën e tyre. Shpërblimi monetar do t’i bënte 80% të punonjësve të ndiheshin më të vlerësuar.

3. Kohë e lirë shtesë (75%)

Beteja e kohës së lirë kundrejt kohës së punës mund të shndërrohet në një mënyrë për të treguar vlerësimin. Lejimi i personelit që të fitojnë kohë të lirë shtesë do të rrisë produktivitetin e tyre dhe do të tregojë se drejtuesi do të vlerësojë mirëqenien e tyre, ashtu si punë. Me më shumë kohë të lirë, 75% të punonjësve do të ndiheshin më të vlerësuar.

4. Thoni “faleminderit” (70%)

Një “falënderim” i thjeshtë shkon shumë larg. Si qenie njerëzore, ne priremi t’u përgjigjemi pozitivisht lavdërimeve dhe mirënjohjes njerëzore për përpjekjet, kohën dhe përkushtimin. Në këtë mënyrë do të ndiheshin të vlerësuar 70% e punonjësve.

5. Një paketë dhuratash nga kompania (69%)

Edhe nëse punoni në distancë, është e rëndësishme të kujtoni se punonjësit janë ende pjesë e një grupi. Dërgimi i një pakete dhuratë nga kompania është një mënyrë për të treguar vlerësimin dhe do të rrisë moralin e ekipit. Ka mënyra të ndryshme për t’i bërë punonjësit e lumtur. Sipas sondazhit, në këtë formë, 69% e punonjësve do të ndiheshin të vlerësuar.

6. Aktivitetet në skuadër (68%)

Mblidhni të gjithë punonjësit për një aktivitet edhe nga shtëpia, nëpërmjet një videothirrje për të krijuar lidhje mes ekipit dhe për të treguar se puna e tyre është e vështirë. Mund të bëhen aktivitete të panumërta për t’i dhënë ekipit mundësi që të çlodhen me njëri-tjetrin dhe të socializohen jashtë punës. Në këtë mënyrë, 68% e punonjësve do të ndiheshin të vlerësuar.

7. Ekuilibri jetë / punë (64%)

Të kuptuarit e angazhimeve jashtë punës u tregon punonjësve ndjeshmërinë nga ana e shefit apo punëdhënësit. Për shembull, të qenët i vetëdijshëm për detyrimet ndaj prindërve apo kujdesit për ta, si dhe lejimi i hapësirës për t’u kujdesur për fëmijët shihet si një përparësi kryesore për punonjësit. Ky tregon një vlerësim për 64% të punëtorëve.

8. Festoni ngjarjet personale (64%)

Aspekti personal është po aq i rëndësishëm sa ai profesional. Një drejtues i mirp duhet të shënojë në axhendë diçka për të kujtuar dhe për të festuar si ditëlindjet e punonjësve dhe ngjarjet e mëdha të jetës. Këto janë mundësi për të festuar qenien njerëzoreqë qëndron pas punonjësit dhe u bën të kuptojnë punonjësve se ata vlerësohen edhe përtej aftësive profesionale. Kështu mendojnë 64% e punonjësve.

9. Dalja pak përpara (57%)

Askush nuk është veçanërisht produktiv të premten pasdreke, ndaj pse të mos krijohet mundësia për të ikur pak më parë dhe për të nisur fundjavën më herët? Sipas punonjësve, largimi nga puna të premten më herët për të kaluar më shumë kohë me familjen e miqtë tregon se punëdhënësi e vlerëson mirëqenien e tyre jashtë punës. Kështu e mendojnë 57% e punonjësve.

10. Mundësi trajnimi të paguara nga kompania (48%)

Sondazhi tregoi se investimi në trajnimin dhe zhvillimin profesional të personelit ndihmon në ecurinë e kompanisë dhe besnikërinë e punonjësve. Krijimi i mundësisë për t’u trajnuar dhe për të azhurnuar njohuritë përmirëson forcën e punës dhe nivelin e kompetencave të kompanisë. Kjo u tregon gjithashtu punonjësve se drejtuesi e vlerëson atë çfarë ata sjellin në kompani dhe se ia vlen të investohet në ta. 48% e punëtorëve mendojnë kështu.

Burimi: Corriere della Sera