Një mundësi më shumë për familjen e Anjezës

17

“Pasi kryej mësimet ndihmoj mamin në punët e shtëpisë. Më pëlqen shumë shkolla, por kujdesem edhe për dhitë që kemi marrë. I ushqej çdo ditë dhe po pres me padurim lindjen e kecave,” – na tregon Anjeza nga Thumana, nxënëse në klasën e dytë.

Vetëm 8 vjeçe, por vogëlushja ka një liri dhe siguri në komunikim, të pazakontë për moshën. Vështirësitë ekonomike të familjes duket sikur i zbut me buzëqeshjen e saj, ndërsa sytë i rrezatojnë shpresë.

Familja e Anjezës jeton në një prej fshatrave më të thellë të Thumanës dhe është mbështetur me dhi për të hedhur bazat e një zhvillimi ekonomik më të qëndrueshëm. Ajo është një prej 100 familjeve në Bashkinë Krujë, të goditura nga tërmeti dhe pandemia e COVID-19, që po mbështeten në kuadër të projektit “Përmirësojmë reziliencën e familjes në situata emergjente”. Projekti financohet nga UNDP dhe zbatohet nga World Vision Albania. Kjo familje u përzgjodh në këtë projekt, pasi ka potencial për të zhvilluar inpute bujqësore dhe blegtorale dhe të hedhë bazat e një ekonomie të vogël familjare dhe të qendrueshme.

Vera, e zonja e shtëpisë, na tregon se 10 vjet më parë familja e saj u zhvendos nga Puka në Thumanë me shpresën për një jetë më të mirë. Si çdo fillim i ri, ata hasën në shumë vështirësi. Të gjitha kursimet i shpenzuan për ndërtimin e një shtëpie të vogël.

Vera nuk ka mundur asnjëherë të gjejë një punë. Shfrytëzon ngastrën e tokës që ka blerë dhe merret kryesisht me bujqësi dhe blegtori. Familja jeton me të ardhurat që siguron bashkëshorti i saj, i cili punon herë pas here në ndërtim.

 “Punë të vazhdueshme nuk kemi. Jemi 5 persona dhe jetojmë me 5 mijë lekë ndihmë ekonomike që na jep shteti. Kemi pak tokë, një lopë dhe disa pula. Tani na kanë dhënë edhe dy dhi, të cilat na kanë ardhur në ndihmë,” – na tregon ajo.

Vera ka një histori të suksesshme në rritjen e dhive. Në Pukë, ku banonte deri para 10 vitesh, kishte arritur të krijonte një fermë. Terreni i vështirë i zonës, braktisja e fshatit nga banorët e tjerë dhe mungesa e shërbimeve elementare si rruga, shkolla dhe spitali; e detyruan familjen e saj që të zhvendosej në Thumanë. Plani i Verës është që të shtojë sërish tufën dhe të hedhë bazat e një ekonomie të qendrueshme që siguron të ardhura të kënaqshme për familjen e saj.

“Në Pukë kisha 200 krerë dhi. Kishin shumë lodhje, por na siguronin të ardhura të mjaftueshme. Fshati u bë i pabanueshëm dhe u detyruam të largoheshim, pasi menduam për të ardhmen e fëmijëve. Dhitë kam dëshirë që t’i shumoj sërish. Dua t’i kem për keca, qumësht dhe djath,” – na thotë Vera.

Tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019 i shkaktoi disa dëme të lehta në banesë, por Vera thotë se “Zoti e ka mbrojtur familjen e saj nga koronavirusi”. Ajo sheh me sytë drejt së ardhmes, me shpresën për një jetë më të mirë për fëmijët e saj. Anjeza një ditë synon që të bëhet mësuese. Vera vetë nuk ka patur mundësi të shkollohet, por po përpiqet për të realizuar ëndrrën e vajzës së saj.

“Do punoj me mish dhe me shpirt që fëmijët të kenë një jetë më të mire se e imja,” – e mbyll rrëfimin inkurajues nëna e Anjezës.

Projekti “Përmirësojmë reziliencën e familjes në situata emergjente” zbatohet në Fushë-Krujë, Bubq dhe Thumanë. Përmes këtij projekti synohet që fëmijët, të rinjtë dhe familjet në Bashkinë Krujë të përmirësojnë aftësitë e reziliencës dhe ndërtojnë bazat e një zhvillimi ekonomik më të qëndrueshëm. Në kuadër të projektit, 65 prej familjeve janë ndihmuar me pako ushqimore dhe higjienike, ndërsa 35 familje të tjera po mbështeten me inpute bujqësore dhe blegtorale.

Njëkohësisht, përfituesit e projektit dhe komuniteti rreth tyre do mbështeten për të ndërtuar një sërë aftësish të nevojshme për të përballuar më mirë situatat e emergjencës në të ardhmen.