Një tjetër destinacion turistik po del në dritë, punime në rrugën që lidh krahinat e Mirditës, Lurës dhe Peshkopisë

43

Rruga e re drejt Lurës do zbulojë një tjetër mrekulli të fshehur të veriut të Shqipërisë. Aktualisht vijon puna në kantierin e rrugës Perlat-Lurë-Arras në veri të vendit. Sipas autoriteteve shtetërore rruga që lidh krahinat e Mirditës, Lurës dhe Peshkopisë pritet që të jetë gati verën e ardhshme.

Ky është një investim që jo vetëm do të lehtësojë jetën e banorëve përreth, por do të shërbejë edhe si një lidhje turistike mes Parkut të Korabit dhe Parkut të Lurës e duke mbërritur deri në bregdetin Adriatik.

Lura është një nga destinacionet turistike më tërheqëse në Dibër me kullat dhe oborret e rrethuara me furde prej druri që janë tradita alpine. Kullat janë unike për sa i përket ndërtimit me frëngji në katet e dyta dhe pika vrojtimi si kështjella në miniaturë.

Parku Kombëtar i Lurës ndodhet në verilindje të Shqipërisë dhe ka një sipërfaqe prej 12.8 km 2, duke përfshirë edhe pjesën lindore të Kurorës së Lurës.