Njerëzit e punës/ Altini nga Përmeti shndërron bunkerin në pikë të preferuar për turistët

89
Kush e ka vizituar Përmetin dhe nuk ka ndaluar në baxhon e Altinit, përmetarit të njohur për djathërat dhe gjalpin me shije, i cili ka shndërruar një bunker buzë rruge, në një pikë tërheqëse shitjeje, ku turistët ndalin e shijojnë prodhimet e baxhos së tij, duhet të rikthehet me se s’bën në Përmet.
Altini ka instaluar në baxho një linjë të re të prodhimit të qumështit dhe pajisje të teknologjisë bashkëkohore për prodhimin e djathit, që i kanë lehtësuar procesin e prodhimit dhe që rrisin standardin e sigurisë së cilësisë ushqimore.

Duke u ndalur në investimin që ka transformuar baxhon e tij në minifabrikë moderne, Altini thotë se, prodhimi i sivjetëm arriti deri në 3 tonë qumësht të përpunuar. Janë rreth 60 blegtorë të zonës që sjellin qumështin në baxhon e Altinit, duke siguruar kështu shitje të sigurt të qumështit nga fermat e tyre.

Në krah të baxhos ai ka ngritur edhe dyqanin për tregtimin e prodhimeve tradicionale dhe sendeve me vlerë autoktone. “Kjo është një ndërtesë që daton në vitin 1939 që në kohën e luftës italo-greke e ngritur në kohën e Turqisë, të cilën e kam kthyer në dyqan që është atraksion dhe vlerë e shtuar në biznesin tim”, – thotë ai.

Altini prodhon djathë kaçkavall, djathë dhie që është shumë i kërkuar dhe në baxhon e tij janë të angazhuar me punë të gjithë pjesëtarët e familjes së tij.