Njerëzit e punës/ Eltoni, 27 vjeçari që ka mbjellë 20 ha tokë me bimë medicinale

11

Elton Therqaj është 27 vjeç dhe ushtron aktivitetin e tij për kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike në fshatin Flakë (Malësi e Madhe).

Familja e tij ka rreth 20 vite eksperincë në këtë fushë dhe Eltoni ka vazhduar të ndjekë të njëjtën rrugë, që në moshë shumë të re, ku pasioni ndërthuret me dëshirën për ta çuar përpara këtë sipërmarrje familjare.

Mbështetur nga AZHBR përmes programit IPARD II, ai ka përfituar traktorë dhe agregate për punimin e tokës, gjithashtu këtë vit aplikoi dhe përfitoi edhe nga Skema Kombëtare mbi naftën, mbështetje e cila i ka lehtësuar punën dhe ulur kostot e prodhimit.

Eltoni ka rreth 20 ha sipërfaqe toke të mbjellë me bimë medicinale, ku mbizotëron sherebela dhe trumëza, bimë të njohura për vlerat e shumta mjekësore. Ai shpreh dëshirën për zgjerim të mëtejshëm të kësaj sipërmarrje dhe ndihet mirënjohës për mbështetjen e dhënë.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2022, ofroi për 80 përfitues rreth 50 milionë lekë subvencionim për mbjellje bimësh mjekësore e aromatike me 60 mijë lekë për ha, por jo më shumë se 1 000 000 lekë për fermerët individualë dhe për grup fermerësh.

Bimët mjekësore dhe aromatike janë një nga zërat e rëndësishëm të eksporteve shqiptare.

Vetëm gjatë vitit 2022 janë eksportuar bimë mjekësore aromatike me vlerë prej 55 milionë dollarë.