Njihuni me 10 shtetet që sjellin më shumë investime në Shqipëri

210

Për herë të parë që prej më shumë se dy dekadash, Greqia e ka ulur flamurin si investitori më i madh në vend. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të tremujorit të katërt, Greqia kaloi si investitori i dytë në vend, sa i përket stokut, duke ia lënë vendin Zvicrës.

Stoku i investimeve nga Zvicra në Shqipëri arriti në fund të 2018-n në 1.3 miliardë euro, duke përbërë 17.3% të totalit prej 7.7 miliardë eurosh që kanë investuar shtetet e huaja në Shqipëri që pas viteve ’90.

Investimet nga Zvicra kanë shënuar një rritje të shpejtë që nga mesi i vitit 2016, që në fakt përkojnë me fillimin e punimeve për gazsjellësin TAP, një projekt prej rreth 1.5 miliardë eurosh, më i madhi historik në Shqipëri. Ndonëse TAP është investim i një konglometari shtetesh, ai është i regjistruar me seli qendrore në Zvicër. Aksionerët e TAP janë: BP (20 për qind), SOCAR (20 për qind), Snam S.p.A. (20 për qind), Fluxys (19 për qind), Enagás (16 për qind) dhe Axpo (5 për qind), që janë përgjithësisht kompani ndërkombëtare, por me seli qendrore përkatësisht: BP-Britania e Madhe; SOCAR-Azerbaxhan; Snam-Itali; Fluxys-Belgjikë; Enagas-Spanjë; Axpo-Zvicër.

Greqia, që për shumë vjet ishte investitori më i madh në vend, kishte në fund të vitit një stok prej 1.2 miliardë eurosh, ose 16% të totalit. Vitet e fundit, ky tregues ka qëndruar pothuajse në të njëjtat nivele, duke reflektuar stanjacionin e kompanive të telekomunikacionit, të cilat në një treg të maturuar nuk po bëjnë më investime. Që prej fillimit të viteve 2000, dy kompanitë që hynë në tregun e telekomunikacioneve përmes Greqisë, Cosmote dhe Vodafone realizuan investime të larta në Shqipëri. Cosmote u tërhoq nga Shqipëria në fillim të këtij viti duke shitur aksionet e Telekom Albania tek shoqëria “Albania Telecom Invest AD”, një shoqëri e themeluar dhe e regjistruar në shtetin Bullgar. http://ëëë.monitor.al/akep-jep-miratimin-paraprak-per-shitjen-e-aksioneve-te-telekom-albania/

Edhe bankat me kapital grek po tërhiqen gradualisht nga Shqipëri. Në vitin 2010, katër banka me kapital grek zinin rreth 24% të aktiveve të sistemit bankar shqiptar (Alpha Bank, Tirana Bank, NBG, Emporiki), ndërsa sot ka mbetur vetëm një bankë, që zë rreth 5% të totalit (Alpha Bank). Të tjerat u shitën apo janë në proces shitjeje si rrjedhojë e strategjisë së bankave greke për tu tërhequr nga rajoni.

Investitori i tretë më i madh në vend këtë vit ka kaluar Holanda, me një stok prej 1 miliardë eurosh (13.6% e totalit), përmes kompanisë, që po ndërton hidrocentralet mbi lumin e Devollit. Ndonëse tashmë, HEC i Devollit po ndërtohet nga norvegjezët e Statkraft, Banka e Shqipërisë e pohon se investitori direkt i Statkraft është holandez.

Si investitor i katërt ka kaluar Kanadaja (prej shumë vitesh i dyti), me 951 milionë euro në fund të 2018-s, ose 12.4% e totalit . Efektin e ka dhënë Bankers Petroleum, e cila ndonëse tashmë është shitur te kinezët e Geo Gade, konsiderohet me kapital kanadez.

Italia, ndonëse është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe ka numrin më të madh të bizneseve të huaja renditet e pesta për nga stoku i investimeve, me 686 milionë euro (8.9% e totalit). Nga Italia kanë munguar investimet e mëdha në vite dhe sipërmarrjet që kanë hyrë janë përgjithësisht të vogla.

Në vend të gjashte renditet Turqia, me një stok investimesh prej 604 milionë euro, ose 6.9% e totalit. Investimet kryesore të Turqisë janë në telekomunikacione dhe banka.

Më pas vijnë Austria me 525 milionë euro, me investime në banka dhe energji; Franca, me 297 milionë euro, me një rritje të ndjeshme vitet e fundit si rrjedhojë e kompanisë Spiecapag, që është nënkontraktor i gazsjellësit TAP; Qipro me 158 milionë euro dhe Gjermania me 133 milionë euro.