Njihuni me Arianën, shqiptarja që bën byrekun tradicional në mes të New Yorkut

68

Ariana Malushi është banorja e re e New Yorkut, që së bashku me hallën Alidën, udhëheq në një nga qytetet më të mëdha të botës, fabrikën tashmë të famshme të përgatitjes së byrekut, “Balkan Bites”.

Gazeta e njohur kroate, Jutarnji List, ka publikuar një shkrim të gjatë për Arianën, që ka lidhje edhe me Kroacinë. Rrëfimin për Ariana Malushin, gazeta kroate e ka vlerësuar shumë interesant.

“Për shumë arsye, por të fillojmë me prejardhjen e saj. Nëna e Arianës është nga Kroacia, babai nga Kosova, ndërsa ajo është rritur e lidhur ngushtë me rrënjët ballkanike. Numër të pafund të verave i ka kaluar në Evropë me gjyshërit, duke u ushqyer me ushqime tradicionale”, shkruan në artikullin e “jutarnji.hr”.

Ariana ka treguar se ndonëse e lindur në SHBA, është rritur duke mbajtur lidhjen e fortë me familjen. Ajo gati çdo verë ka vizituar familjen në Evropë.

Vitin e kaluar byrekun e freskët e kanë shituar në tregje të ndryshme në New York, si në Queens Night Market dhe Urbanspace Holiday Market, por edhe në lokale të ndryshme. Për shkak të pandemisë u janë ndalë të gjitha këto burime dhe kështu kanë vendosur të shesin byrekë të ngrirë në mënyrë që njerëzit t’i shijonin ata në shtëpitë e tyre. Sot ato dërgojnë porosi në gjithë SHBA-në dhe shpresojnë që shpejtë të hyjnë në tregun ushqimor.

Ariana ka treguar se shumica e amerikanëve për herë të parë njihen me byrekun. Në New York në fakt janë disa restorante që ofrojnë byrek.

Për Arianën byreku përfaqëson shumë më tepër se vetëm një ushqim. Përfaqëson lidhjen me familjen, kulturën, traditën, bashkësinë familjare. Synimi i saj është që përmes Balkan Bites të ofrojë ushqimin ballkanik për pjesën tjetër të botës, që të heq kufijtë (fizik dhe në kokën e njerëzve) si dhe të ofrojë njerëzit e kulturave të ndryshme.